Prishtinë, komuna gjobit kompaninë për mungesë të rrethojave në vendpunishte

Një gjobë në vlerë 500 euro është lëshuar sot nga ana e Drejtorisë së Inspeksionit në Komunën e Prishtinës, për një objekt i cili ishte duke u ndërtuar.

Kjo gjobë sipas drejtorit të Drejtorisë së Inspeksionit, Adonis Tahiri, është shqiptuar për shkak të mungesës së rrethojave në vendpunishte.

“Gjobë 500 euro për mungesë të rrethojës në vendpunishte, dhe ndërprerje e menjëhershme e punimeve”, ka shkruar Tahiti në postimin e tij në facebook.

Me 3 nëntor të vitit të kaluar, Inspektorati i Punës kishte marrë vendim për ndalimin e punimeve në mbi 30 vend punishte për shkak të mungesë së pajisjeve të sigurisë.

Foto: Adonis Tahiri/Facebook

Duke pasur parasysh rastet e aksidenteve, lëndimeve dhe atyre me fatalitet, me kërkesë të ministrit të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale , Skender Reçica, Inspektorati i Punës kishte vazhduar riinspektimet në  sektorin e ndërtimit, duke kërkuar nga subjektet zbatimin e plotë të masave të sigurisë (skelet) dhe pajisjet personale mbrojtëse, me ç’rast ishte pezulluar puna përkohësisht në mbi 30 vendpunishte të ndërtimit.

Sipas MPMS-së Përgjatë dy javëve, në Komunën e Prishtinës, ku është më i përqendruar sektori i ndërtimtarisë, gjatë inspektimit të rreth 160 vend punishteve janë shqiptuar 14 gjoba (ato subjekte të cilat nuk i kanë zbatuar vendimet e inspektorëve nga inspektimet e mëhershme), dhe janë ndërprerë punimet me masën e pezullimit të përkohshëm në 11 subjekte.

Aksioni i inspektoratit: Ndalohen punimet në 30 objekte