Gjykimi i Liridon Sadikut - Foto: KALLXO.com

Prishtinasi pendohet që e goditi me thikë në kokë shokun e tij

Liridon Sadiku nga Prishtina ka dalë para Gjykatës për t’u përgjigjur për lëndimet që ia kishte shkaktuar shokut të tij Fidan Mziut.

Gjatë seancës së sotme në Gjykatën e Prishtinës, i pandehuri tha se e pranon fajësinë dhe se është penduar thellë për atë çfarë ka bërë.

“E pranoj gabimin që e kam bërë edhe pendohem thellë çka kam bërë dhe i kërkoj falje Fidanit dhe Patrisit për rastin që ka ndodhur. Të njëjti i kam pasur shokë, i kam shokë dhe do t’i kem shokë”, tha i akuzuari Liridon Sadiku.

Ai premtoi para Gjykatës se në të ardhmen nuk do të bjerë ndesh me ligjin.

Edhe prokurori Hivzi Bajraktari u pajtua me pranimin e fajësisë nga ana e të akuzuarit, duke i propozuar Gjykatës që ta aprovojë pranimin e fajësisë.

Me pranimin e fajësisë u pajtua edhe  i dëmtuari Fidan Mziu, i cili hoqi dorë edhe nga kërkesa për realizimin pasuror-juridik.

Madje, i dëmtuari u shpreh se nuk ka dëshirë që Gjykata ta dënojë shokun e tij, Liridon Sadikun, pasi që tha se ata tashmë janë pajtuar.

Pasi që kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Nushe Kukaj- Mekaj, e aprovoi pranimin e fajësisë, e njëjta shpalljen e aktgjykimit e caktoi për nesër.

Sipas aktakuzës, ngjarja për të cilën akuzohet Liridon Sadiku ka ndodhur  më 16 shkurt 2017 në Prishtinë, në rrugën “Nazim Gafurri”.

Në aktakuzë thuhet se përderisa i pandehuri Liridon Sadiku ishte duke shkuar në shtëpinë e tij, në lagjen “Sofalia” së bashku më dëshmitaren Albulena Hajrizi, janë takuar më të dëmtuarin Fidan Mziun dhe dëshmitarin Patris Gashin, ashtu që për shkak të mosmarrëveshjeve të mëparshme në mes tyre, gjatë kalimit e shikojnë njëri-tjetrin në mënyrë kërcënuese dhe i pandehuri Liridon Sadiku i vërsulet të dëmtuarit Fidan Mziu dhe me thikë e godet në kokë në anën e majtë.

Tutje në aktakuzë thuhet se i dëmtuari Fidan Mziu nga trupi nën rroba ka nxjerrë shkopin prej druri dhe e ka goditur të pandehurin në dorë dhe pasi që e ka goditur i është drejtuar dëshmitarit Patris Gashi me fjalët: “Hajde ta qes edhe ty gjakun”. Ndërsa dëshmitari Patris Gashi nga frika thuhet se e ka nxjerr thikën, të cilën e ka mbajtur në dorë.

Sipas Prokurorisë porsa i dëmtuari Fidan Mziu ia ka parë thikën në dorë dëshmitarit Patris Gashi, ia ka kapur nga dora dhe e ka sulmuar të pandehurin Liridon Sadikun dhe më pas është larguar nga vendi i ngjarjes.

Gjatë kësaj përleshje aktakuza thekson se i akuzuari Liridon Sadiku të dëmtuarit Fidan Mziu i ka shkaktuar plagë shqyese dhe plagë shpuese në regjionin e majtë të kokës, gjakderdhje nën cipën e fortë trunore, lëndime këto që si të tilla sipas Prokurorisë bëjnë pjesë në dëmtime të rënda trupore.

Liridon Sadiku ishte i akuzuar edhe për armëmbajtje pa leje, mirëpo në seancën e kaluar Prokuroria kishte hequr dorë nga kjo pikë e aktakuzës.