Prishtina kërkon anulimin e konkursit të MAShT-it për psikologë dhe pedagogë

Komuna e Prishtinës nuk e ka mirëpritur konkursin e MAShT që t’i punësojë disa psikologë dhe pedagogë në shkollat e Kosovës, ku në Prishtinë parashihen të punësohen 6 psikologë dhe 4 pedagogë.

Kjo komunë ka kërkuar nga MAShT që ta bëjë anulimin e këtij konkursi dhe ndërprerjen e menjëhershme të procedurave të rekrutimit për konkursin e shpallur, pasi sipas tyre është në kundërshtim me disa ligje.

“Konkursi është shpallur në kundërshtim me çdo dispozitë ligjore në fuqi, sa i përket kompetencës së shpalljes, rekrutimit dhe çdo faze tjetër të punësimit të profileve të caktuara si më lartë. Kompetente për punësim është institucioni i cili zhvillon procedurën e konkurrimit, lidhë kontratë më të punësuarin, i cili është i obliguar që të përmbushë të drejtat dhe detyrimet në vendin e punës të cilin i siguron punëdhënësi, ky i fundit njëherit ka dhe obligimet e përcaktuara me dispozita ligjore në fuqi”, thuhet në reagim.

Sipas tyre në bazë të nenit 8 të Ligjit të Punës (Ligji nr. 03/L-212-Gazeta zyrtare nr. 90/1 dhjetor 2010), konkursi shpallet nga punëdhënësi, në rastin konkret komuna, asnjëherë nga ana e një institucioni tjetër për institucionin tjetër, sikurse që është rasti konkret kur MAShT, shpall konkurs për komunën.

“Bazuar në Ligjin Nr. 03/L-040, për vetëqeverisje lokale (“Gazeta zyrtare e Republikës së Kosovës”, nr. 28/15, qershor 2008), kompetencë e komunës është që të punësoj stafin e saj, si atë në administratë dhe në njësitë vartëse të saj.Sipas Ligjit Nr. 03/L-068, për Arsimin në Komunat e Republikës së Kosovës, Neni 4, Kompetencat dhe Kompetencat e Zgjeruara të Komunave 4.1 theksohet se: “Komunat kanë kompetenca të plota dhe ekskluzive, për aq sa ato i takojnë interesit lokal, ndërkohë që respekton standardet e përcaktuara sipas legjislacionit në fuqi në lidhje me dispozitat e arsimit publik parashkollor, fillor dhe të mesëm, duke përfshirë regjistrimin dhe licencimin e institucioneve arsimore, marrjen në punë…”.

“Po ashtu neni 5 i këtij Ligji për Kompetencat e Komunave në nivelet 0, 1, 2 dhe 3 të Arsimit Publik (Parashkollor, Fillor, të Mesëm të Ulët dhe të Mesëm të Lartë) shkronja c, theksohet se; “Komuna ka kompetencë në punësimin e mësimdhënësve dhe personelit tjetër të shkollave në pajtueshmëri me procedurat ligjore të rekrutimit, përzgjedhjes dhe punësimit të të punësuarve publikë”, thuhet në sqarimin e Komunës.

Sipas tyre , edhe sipas bazës juridike me të cilin është shpallur konkursi, që është UA-26/2013, zgjedhja e nëpunësve për ofrimin e shërbimeve profesionale në institucionet e arsimit parauniversitar, neni 2, theksohet qartë se: “Komuna, obligohet që duke respektuar kriteret e rekrutimit të përcaktuara nga MASHT, të përzgjedhë shërbyesit civil profesional: mjekun, pedagogun, etj. në institucionet edukative dhe arsimore të arsimit parauniversitar”.

Konkursi për 30 psikologë dhe 20 pedagogë është shpallur nga MAShT më 25 qershor dhe ka qenë i hapur deri më sot.

Ndërsa drejtori për Arsim Parauniversitar në MAShT, Alush Istogu ka treguar për KALLXO.com se MAShT duke u bazuar në Ligjin e buxhetit për vitin 2019 ka planifikuar 50 vende te punës për shërbim profesional ped-psikologjik.

“MASHT  ka shpallur konkursin  në baze te UA nr.26/2013 “ Zgjedhja e nëpunësve për ofrimin e shërbimeve profesionale ne institucionet edukative- arsimore para universitare “ dhe të UA nr,. 34/2014 “ Funksionalizimi i shërbimit ped-psikologjik në  shkolla”, tha ai.

Tutje Istogu tha se pas shqyrtimi të konkursit dhe të pranimit , së bashku me drejtorët e DKA do të caktohen për shkolla në bazë të kritereve dhe numrit të nxënësve.

“MAShT  e ka siguruar buxhetin për vitin  2019 për pagesën e këtij shërbimi profesione ped-psikologjik”, thotë Istogu.