Pamje nga një marsh protestues pas vdekjes së Astrit Deharit - Foto: Atdhe Mulla

Prindërit e Astrit Deharit: Për Vdekjen Morëm Vesh nga Mediat

Një ditë përpara se të bëhen një vit nga vdekja e Astit Deharit në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, prindërit e tij Xhemile dhe Avni Dehari, bashkë me avokatin Tomë Gashi kanë dalë në një konferencë për media.

Xhemile Dehari, nëna e Astritit ka thënë se askush nga qeveria e kaluar nuk është marrë me vdekjen e dyshimtë të djalit të saj.

Ajo ka treguar se lajmin për vdekjen e Astrit Deharit e ka marrë vesh nga mediat, ose nga shokët e djalit, ndërsa ka bërë me dije se shteti nuk e ka njoftuar për këtë vdekje.

Ajo ka shprehur dyshime dhe ka shtruar pyetjen se pse vdiq në rrethana të dyshimta Naser Makolli, një i burgosur që ishte shok dhoem me Astrit Deharin.

Avokati Tomë Gashi ka treguar se si përfaqësues i familjes Dehari e ka bërë një kërkesë të re për ekspertizë ndërkombëtare nç lidhje me vdekjen e Astrit Deharit, të cilën e ka drejtuar te Zyra e Kryeministrit.

Avokati Gashi dhe prindërit e Astrit Deharit kanë treguar se kanë pak më shumë besim te Ramush Haradinaj në lidhje me ndriçimin e vdekjes.

KALLXO.com ka shkruar se më 13 tetor qeveria ka ndarë 50 mijë euro për ekspertizën e vdekjes së Deharit.

http://kallxo.com/50-mije-euro-per-ekspertizen-e-rastit-dehari/

Astrit Dehari aktivist i Vetëvendosjes vdiq në Qendrën e Paraburgimit në Prizren më 5 nëntor të vitit të kaluar, teksa po mbahej në lidhje me sulmin e gushtit 2016 në ndërtesën e Kuvendit të Kosovës.

Në dhjetor të vitit që shkoi Kuvendi miratoi një rezolutë sipas së cilës familja e Astrit Deharit mund të kërkojë ekspertizë nga çdo vend i BE-së ose SHBA dhe Qeveria t’i heq të gjitha shpenzimet.

http://kallxo.com/krejt-cka-ndodhi-ne-seancen-per-astrit-deharin/

Prindërit e Astrit Deharit në shkurt të këtij viti thanë se ishin përcaktuar që ekspertizën për Deharin ta kryejnë ekspertë zviceranë nga Qendra Universitare e Mjekësisë Ligjore në Zvicrën Franceze.

http://kallxo.com/eksperte-nga-zvicra-pritet-ta-hetojne-vdekjen-e-deharit/

Edhe sot në konferencë Xhemile dhe Avni Dehari treguan se janë përcaktuar për këtë institut, ngase kanë besim të madh te zviceranët.