Princi Kërkon Rindërtimin e Urave

Princi i Wales-it tregoi përshtypjet nga vizita e tij e parë në Kosovë në vitin 1999. Tha se atëherë ka parë vështirësitë dhe vuajtjet e këtij populli dhe shkatërrimin e qëllimshëm të thesareve të trashëgimisë.

Ai tha se pa histori jemi të humbur, por nuk duhet të jemi të burgosur të saj.

“Pa Rrënjët dhe kuptimin e kësaj kulture jemi të humbur. Pa histori jemi të humbur. Në të njëjtën kohë nuk duhet të lejojmë të bëhemi të burgosur të kësaj historie,” tha princi Charles.

Ai tregoi se është ndier i lumtur ngase mundi të vizitojë objekte fetare myslimane, katolike e ortodokse.

Princi Charles bëri thirrje që të rindërtojmë urat që ato të mbesin aty. Tha se më së shumi e kanë prekur takimet me familjarë të të pagjeturve.

“Ato që kam dëgjuar ma kanë thyer zemrën time, familjarët e të pagjeturve më kanë kërkuar të ju ndihmoj,” tha princi Charles.

Megjithatë deklaroi se hakmarrja nuk është rruga e duhur.

“Hakmarrja nuk është rruga e duhur, është pajtimi dhe falja. E kuptoj agoninë e madhe dhe përvojat e dhimbshme,” tha princi Charles.

Ai uroi që Kosova të ketë të ardhme të mrekullueshme.

“Lutem që si rezultat i takimeve sot, Kosova do të ketë një të ardhme të mrekullueshme. Jam i lumtur që vendi im ka kontribuar në këtë vend,” tha princi Charles.

Princi Charles e mbajti fjalim në Konferencën Ndërkombëtare Ndërfetare ku ishte pjesë e panelit me temën “Restaurimi i  Trashëgimisë Fetare dhe Kulturore si një Mjet për Rigjenerimin Ekonomik dhe Shoqëror”.

Drejtuesi i këtij paneli Dimitris Moschopoulos iu drejtua princit me fjalë të bukura për Prizrenin.

“Shkëlqësia Juaj, mund ta keni parë sa i bukur është Prizreni, është detyrë e jona që ta mbrojmë”.

Nën drejtimit e Moschopoulos që është këshilltar i institucioneve të Kosovës për trashëgiminë fetare dhe kulturore ky panel në 9 minuta foli për këtë temë para princit Charles.

Tre panelistët: Donald Reeves, “Soul of Europe”, Tina Wik – arkitekte dhe Sneska Quaedvlieg – Mihailoviq – sekretareshë gjenerale e “Europa Nostra”, secili në tre minuta folën për arkitekturën, rëndësinë e dialogut ndërfetar dhe trashëgimisë kulturore.

“Lartmadhëria juaj, sikur shumë të tjerë edhe ne e kemi përcjellë me vëmendje fjalimin tuaj në Beograd. Folët për ndërtimin e urave, se duhet të vazhdojmë të rindërtojmë ura fizike dhe ura të padukshme që lidhin zemrat e njerëzve,” tha panelistja Sneska Quaedvlieg – Mihailoviq.

Pas pjesëmarrjes në këtë panel dhe fjalimit të tij princi Charles e përfundoi agjendën zyrtare të vizitës në Kosovë.