Princi e Dukesha Arrijnë në Kosovë

Princi i Wales-it dhe Dukesha e Cornwall-it arritën në Kosovë, ku u  pritën zyrtarisht në Aeroportin e Prishtinës nga Presidentja e vendit, Atifete Jahjaga dhe Garda e nderit e FSK-së.

Më pas Princi Charles dhe Dukesha Camilla do të marrin pjesë në pritjen e organizuar nga Ambasadori Britanik në Kosovë, Ruairi O’Connell.

Të shtunën e 19 marsit, Princi i Wales-it dhe Dukesha e Cornwall-it do të priten nga Jahjaga në zyrën e saj, ku bashkë me Presidenten do të vendosin lule në Monumentin e Personave të Pagjetur pranë ndërtesës së Kuvendit.

Pas kësaj, Princi dhe Dukesha vazhdojnë agjendën ndaras.

Lartmadhëria e Tij do të marrë pjesë në ceremoninë e vendosjes së kurorës në selinë e KFOR-it ‘Film City’  për të përkujtuar personelin e Mbretërisë së Bashkuar dhe të KFOR-it që humbën jetën gjatë shërbimit të tyre në Kosovë.

Më pas Princi Charles do të do të vizitojë Prizrenin ku do të marrë pjesë në Konferencën Ndërfetare, organizuar në bashkëpunim me qeverinë e Kosovës.

princi1_edited

Ndërsa Dukesha Camilla dhe Presidentja Jahjaga do të takohen edhe me të Mbijetuarat e Dhunës Seksuale për të dëgjuar për sfidat me të cilat janë përballur ato në kërkim të drejtësisë, si dhe për punën e Këshillit Kombëtar udhëhequr nga Presidentja.

Lartmadhëria e Saj do të vizitojë “Ideas Partnership” në Fushë Kosovë për të parë se si grupet e margjinalizuara janë duke u ndihmuar përmes fuqizimit arsimor dhe ekonomik.

Kjo është hera e dytë që Princi Charles viziton Kosovën. Për herë të parë ai erdhi në Kosovë në vitin 1999.

Vizita e Princit dhe Dukeshës është pjesë e vizitave në vendet e Ballkanit. Princi dhe Dukesha dje qëndruan në Serbi.