‘PriFest’ hap thirrjen për projekte filmike për ‘Best pitch 2019’

Festivali Ndërkombëtar i Filmit në Prishtinë,“Prifest”, ka hapur sot thirrjen për projekte filmike për garën e “Best pitch” për edicionin e sivjetëm të këtij festivali, i cili do të mbahet nga 16 deri më 21 korrik 2019 në Prishtinë.

Përmes një njoftimi për media “Prifest”-i fton të gjithë producentët dhe regjisorët nga Ballkani që kanë në fazë zhvillimi projektin e tyre filmik të parë apo të dytë.

“Data deri kur mund të dorëzohen projektet është 20 Maj 2019. Projektet e përzgjedhura do t’i nënshtrohen trajnimeve me ekspertë të huaj dhe prezantimit para jurisë ndërkombëtare për t`u përzgjedhur fitues të njërit nga shpërblimet që ofron festivali me partnerë”, thuhet në komunikatën e “Prifest”-it.

Edicioni i 11-të i festivalit “PriFest” gjatë një jave në korrik, pritet të sjellë në Prishtinë një numër të madh të mysafirëve artistë dhe profesionistë të industrisë së filmit nga rajoni, Evropa e Bota, por duke mos lënë anash edhe programin e veçantë të shumë filmave premierë që mund të ndiqen vetëm gjatë këtij festivali.