PriFest hap thirrjen për Green Film Project III

Festivali Ndërkombëtar i Filmit, “PriFest”, ka hapur thirrjen për “Green Film Project”, projekt ky i cili ka për qëllim ngritjen e vetëdijes dhe aktivizimin tek të rinjtë për rëndësinë e mjedisit, përmes filmit.

Projekti është i hapur deri më datë 1 korrik 2019 dhe të drejtë aplikimi kanë vetëm shtetasit kosovarë.

“Green Film Project” është program me karakter garues me temë mbrojtjen e mjedisit, ndërkohë që këtë vit do të jetë me fokus të veҫantë në cilësinë e ajrit.

Përmes një njoftimi për media, “PriFest”, fton të gjithë të interesuarit që të jenë  pjesë në edicionin e III të “Green Film Project” për të sjellë para publikut të “PriFestit” idetë kreative, në formë të filmit të shkurtër dokumentar apo fiktiv, që trajtojnë ajrin.

Siaps njoftimit, të drejtë pjesëmarrje në Green Film Project III  kanë të gjithë të rinjtë e moshës mbi 16 vjeç. Ndërsa pjesëmarrësit nuk kanë nevojë të kenë ndonjë përgatitje paraprake si filmbërës. Mjafton të kenë idenë dhe dëshirën për të prodhuar një film.

Filmat mund të jenë xhiruar me çfarëdo mjeti xhirues: kamera, smartphone, ipad, etj, me kohëzgjatje nga 30 sekonda deri në 3 minuta.

Nga të gjitha aplikimet, 10 filma do të përzgjidhen nga selektorët e festivalit për t`u shfaqur në “PriFest” 11 në njërën nga netët e festivalit në datat 16-21 korrik. Autori i filmit më të mirë do të fitojë si shpërblim një kamerë profesionale dhe Pllaketën e Hyjneshës së Gjelbër.