Polici në afërsi të Kishës Ortodokse në kampusin e UP-së, Foto: KALLXO.com

Prezencë policore afër kishës ortodokse në Prishtinë, Policia jep detaje

Për disa ditë, zyrtarë policorë janë parë deri sa po qëndronin në oborrin e kishës ortodokse, e cila gjendet në oborrin e Universitetit të Prishtinës.

Zyrtari policor në afërsi të Kishës Ortodokse, Foto: KALLXO.com

Prezenca policore u pa disa ditë pasi në të njëjtin objekt u mbajt një liturgji fetare nga klerikë të kishës ortodokse serbe.

Në lidhje me këtë çështje KALLXO.com ka kërkuar sqarime nga ana e Policisë së Kosovës.

“Ju informojmë se prezenca policore në afërsi të kishës ndërlidhet me veprimet dhe masat operative hetimore të rastit të raportuar kohë më parë – nxitje e përçarjes dhe mos durimit dhe mbi këtë bazë Policia e Kosovës është duke marrë masa për ndriçimin, dokumentimin dhe parandalimin e kësaj vepre penale”, thuhet në përgjigjen e Policisë për KALLXO.com.

Objekti i kishës ortodokse nuk është në listën e objekteve që sigurohet nga Policia e Kosovës.

Ditë më parë klerikë të kishës ortodokse serbe kanë mbajtur një liturgji fetare në objektin e kishës që gjendet në kampusin e UP-së.

Pas mbajtjes së kësaj liturgjie pati edhe protesta.

Në lidhje me këtë çështje, në Komisionin për Çështje të Sigurisë, drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti, kishte thënë se nuk kanë pasur informacione se do mbahej një liturgji e tillë.

“Nuk kemi qenë të njoftuar fare për aktivitet kishtar, Policia e Kosovës këtë objekt nuk e ka në listën e objekteve që i siguron 24 orë. Ne nuk kemi pasur asnjë njohuri që në këtë objekt do të mbahet ndonjë liturgji”, ka thënë drejtori i Policisë.

Ka më shumë se tre vite pasi Universiteti i Prishtinës kishte dorëzuar padi në Gjykatë lidhur me një parcelë toke brenda kampusit të Universitetit “Hasan Prishtina”.

Në mars të vitit 2017, Universiteti i Prishtinës e kishte humbur gjyqin e parë ndaj kishës ortodokse lidhur me pronësinë e tokës. Gjykata e kishte konsideruar të tërhequr këtë padi si pasojë e mungesës së përfaqësuesve të Universitetit të Prishtinës në gjyq, përkatësisht në seancat që u mbajtën në vitin 2015.

Sipas Gjykatës, arsyetimi i UP-së për mospjesëmarrje në seancë në vitin 2015, kishte qenë fakti se ka pasur protesta të shumta para kishës ortodokse që gjendet brenda tokës së kontestuar.

Objekti i nisur për kishë ortodokse në hapësirat e UP-së kishte filluar në vitin 1992 në kohën e regjimit të Slobodan Millosheviqit, e në gurthemelin e saj, ishte bërë publike se kishin marrë pjesë edhe njerëz me të kaluar të rëndë kriminale, siç ishte edhe Zhelko Razhnatoviq, i njohur si Arkan. Ky objekt, përkundër që kishte nisur ndërtimin me 1992, nuk kishte arritur të përfundohej asnjëherë.