Prezantohet Strategjia Kombëtare për Zhvillim

 

Hartuesit e planit “Strategjia Kombëtare për Zhvillim Ekonomik 2016-2021” thonë se është i destinuar për të mundësuar një zhvillim të qëndrueshëm të Kosovës.

Isa Mustafa, Kryeministri i Kosovës, tha se në kuadër të mandatit të qeverisjes së tij katërvjeçare prioritet do të jetë zhvillimi ekonomik, promovimi i punësimit dhe rritja e mirëqenies.

Ai gjithashtu tha se roli i Qeverisë do të jetë ofrimi i kornizës institucionale, brenda së cilës zhvillohen aktivitetet ekonomike me qëllim të sigurimit të kohezionit të brendshëm dhe ekonomisë në përgjithësi.

Sipas Kryeministrit Mustafa, me anë të kësaj strategjie është bërë përpjekje që të bashkërenditen politikat zhvillimore dhe proceset institucionale në kuadër të zhvillimit ekonomik.

Përfaqësuesi i BE-së në Kosovë, Samuel Zhbogar, tha se ky është një dokument i rëndësishëm për ekonominë e Kosovës dhe se është pritur gjatë për një dokument të tillë.

“Sundimi i ligjit dhe efektiviteti janë parakusht për zhvillim ekonomik dhe mirëqenien. Andaj është shumë rëndësi që prokurimi publik dhe gjyqësori të përmirësohet duke u ofruar siguri investitorëve”, tha Zhbogar.

Kjo strategji përfshinë zhvillimin e kapitalit njerëzor, sundimin e ligjit, industritë konkurruese dhe infrastrukturën.