Prezantimi i hulumtimeve rreth integritetit të Universitetit të Prishtinës - Foto: KFOS

Prezantohen Hulumtimet që Flasin për Praktikat që Rrënojnë Integritetin e UP-së

Koalicioni i OJQ-ve, i krijuar nga brengosja rreth standardeve akademike dhe etike në Universitetin e Prishtinës, publikoi sot gjashtë raporte që kanë të bëjnë me çështje si politizimi i fakulteteve e deri te plagjiatura dhe mashtrimi akademik nga studentët.

Koalicioni për Integritet dhe Transparencë në Universitet, KITU, ishte themeluar para rreth shtatë muajsh si bashkëpunim mes OJQ-ve të ndryshme, duke përfshirë këtu Institutin EdGuard, Qendrën për Arsim të Kosovës, Qendrën Encompass, Sbunker, Qendrën për Kurajo Politike, ORCA, OJQ Admovere, ÇOHU, Demokracia për Zhvillim, dhe Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të Hapur.

Sot, çështjet e ngritura nga hulumtuesit e KITU përfshinë raportin e lartë, 50 me 1, studentë-profesor, si dhe numrin e lartë të studentëve që mentorohen nga një profesor për temat e tyre të diplomës.

Pjesëmarrësit në panel gjithashtu diskutuan problemet me hulumtime shkencore, kushtet e këqija të bibliotekave dhe mungesës së teksteve akademike në gjuhën shqipe.

Hulumtuesit gjithashtu prezantuan të gjeturat e tyre mbi praktikat akademike korruptive, sikur publikimi nëpër revista të dyshimta shkencore nga profesorët, shitblerja e temave të diplomës, dhe ndërhyrja e politikës në Universitet.

Hulumtuesit e ÇOHU kanë identifikuar rreth 50 profesorë të UP-së me lidhje direkte me politikën, gjë që rezulton në një sistem i cili, sipas hulumtimit, favorizon avancimet akademike jomeritore.

OJQ-ja Admovere prezantoi përmbledhjen e tyre të problemeve në universitet, mes të cilave edhe statistikën nga Kryesuesi i Këshillit Drejtues të UP-së nga 2014 ku thuhet se 80 per qind e stafit akademik të Universitetit të Prishtinës kanë publikime dhe tituj shkencorë pa kurrfarë vlere.

Shkelzen Gashi nga OJQ-ja Admovere tha se ka mungesë të masave llogaridhënëse sa i përket plagjiaturës.

“Problemi më i madh me plagjiaturat është se, edhe kur identifikohen, nuk ka ndëshkim”, tha Gashi.

Ndërkohë, ÇOHU gjithashtu ka publikuar raportin “Pazari me Tema të Diplomës”, ku thuhet se një nga arsyet për praninë e plagjiaturës në universitet mund të jetë numri i lartë i studentëve që profesorët i mentorojnë për temat e tyre të magjistraturës dhe doktoraturës — gjë që bën të vështirë që profesorët të kontrollojnë dhe udhëzojnë çdonjerin nga studentët e tyre nga afër.

Raporti merr si shembuj Fakultetin e Ekonomisë dhe Fakultetin e Filozofisë: gjatë një periudhe 2 vjeçare, disa profesorë të këtyre fakulteteve mentoruan mbi 130 tema të diplomës për nivelin bachelor dhe mbi 20 për nivelin master.

Faton Berisha, prorektor i Universitetit të Prishtinës mbrojti pozicionin e Universitetit të tij duke thënë se ekzistojnë sistemet e duhura për kontrolle për ta parandaluar plagjiaturën e temave të diplomës për master, për doktoraturë, dhe të teksteve akademike, por pranoi se ato mund të mos funksionojnë si duhet.

Një temë e gatshme e diplomës për nivelin bachelor mund të blihet për 150 deri 250 euro, sipas ÇOHU. Në ndërkohë, temat të nivelit master kushtojnë 200 deri 300 euro.

“Mjafton të kërkosh në rrjetet sociale, apo në web-faqe të marketingut ku gjen me dhjetëra mundësi për ta bërë temën e diplomës”, shkruan në raportin e ÇOHU-t.

Prorektori Berisha përdori termin “mashtrim i kontraktuar” për të përshkruar fenomenin e studentëve që blejnë tema të diplomës, dhe tha se është fatkeqe që ky fenomen sapo ka filluar në Kosovë dhe se ai është në fillimet e veta nëse krahasohet me situatën e universiteteve anglishtfolëse nëpër botë.

Rastet e “mashtrimit kontraktual” dhe plagjiaturës, sipas Dukagjin Pupovcit nga Qendra për Arsim e Kosovës, do të zvogëlohej nëse profesorët do të shpenzonin më shumë kohë me studentët për t’i udhëzuar në proceset e shkrimit te temave të diplomës, sesa të përqendrohen vetëm në mbrojtjen e se si të bëhet mbrojtja e temës.

Kosovës i mungon korniza ligjore për të ndjekur penalisht veprat penale të mashtrimit akademik, sipas raportit të ÇOHU, gjë që e bën të vështirë marrjen e përgjegjësisë në raste të mashtrimit dhe plagjiaturës.

Nga ana tjetër, Rron Gjinovci, drejtori ekzekutiv i ORCA, lavdëroi prorektorin Berisha për kontributin e tij për të luftuar avancimet akademike jomeritore në Universitetin e Prishtinës.

“Ka përmirësime rapide (në UP) për sa i përket çështjes së avancimeve akademike. Ky menaxhment ka ndihmu shumë”, tha Gjinovci. “Shtatëdhjetë (raste të avancimeve jomeritore) i kemi parandalu”, tha ai.

Ndërsa, sot, në Prishtinë, për rreziqet nga plagjiatura dhe mënyrat për zbulimin e saj një ligjëratë e ka mbajtur hulumtuesi Thomas Lancaster.

http://kallxo.com/hulumtuesi-plagjiatures-ligjeron-per-rreziqet-prej-saj/

Në muajin prill në UP një profesor i Universitetit të Harvardit ligjëroi mes tjerash edhe në lidhje me plagjiaturën.

Ambasadori amerikan Greg Delawie po në prill të këtij viti plagjiaturën e konsideroi kancer për institucionet arsimore.