Ish-drejtori i AKK-së, Hasan Preteni

Preteni: ‘Çohu’ kishte për qëllim denigrimin tim e të zyrtarëve të AKK-së

Në gjykimin në rastin ku ish-drejtori i Agjencisë Kundër Korrupsionit (AKK), Hasan Preteni, ka paditur për shpifje organizatën joqeveritare “Çohu” dhe Qendrën e Kosovës për Gazetari Hulumtuese, e cila vepron në kuadër të “Çohu”, Preteni ka thënë se qëllimi i organizatës në fjalë ka qenë denigrimi i tij personal si dhe i zyrtarëve të AKK- së.

Avokati i paditësit, Hasan Preteni, Asdren Bytyqi, kërkoi nga Gjykata që edhe vet Preteni, i cili ishte prezent në seancën e sotme, të lejohet që të deklarohet me faktet kontestuese, me arsyetimin se i njëjti është akteri kryesor i kësaj procedure gjyqësore.

Kështu fjalën e mori paditësi Hasan Preteni, i cili filloi të përmendte një varg rastesh përmes së cilave pretendonte se “Çohu” ka pasur për qëllim denigrimin e tij personal, si dhe zvogëlimin e besueshmërisë së qytetarëve te zyrtarët e AKK- së.

“Nuk e kam asnjë problem, kam qenë vetëm në një takim në polici gjithçka është hedhë poshtë, por, problemi qëndron te cenimi i integritetit tim personal, privatësisë dhe uljen e besueshmërisë që edhe familja fillojnë të dyshojnë se edhe unë qenkam falsifikator. Nuk është ushtruar asnjë kallëzim penal ndaj meje personalisht, asnjë kallëzim kundër zyrtarëve të Agjencisë, asnjë vërejtje nga Zyra e Auditorit Gjeneral”, shtoi Preteni.

Këto pretendime të Pretenit i kundërshtoi fuqishëm Arton Demhasaj nga organizata ‘Çohu’, i cili deklaroi se interesi i vetëm i “Çohu” është interesi publik dhe se puna e tyre është monitorimi i institucioneve publike.

“Ne kemi monitoruar AKK- së dhe ka qenë e paevitushme që mos të tregojmë në opinion kur kemi vërejtë diçka. Asnjëherë organizata ‘Çohu’ e as punëtorët e saj si persona fizik nuk kanë pasur qëllim denigrimin as të institucioneve publike, e as të bartësve të saj si persona fizikë dhe asnjëherë nuk ka pasë asnjë çështje personale në mes të zyrtarëve të organizatës Çohu dhe të zyrtarëve të institucioneve publike. Ne çdo ditë publikojmë raporte të institucioneve publike për keqqeverisje dhe deri më sot asnjëherë kjo çështje nuk është personalizuar”, tha Demhasaj.

Ndërkaq, përfaqësuesi i palës së paditur, organizatës “Çohu”, Admir Salihu, theksoi se deri më sot nuk janë në dijeni se a përkrahë drejtori i tanishëm i AKK- së pretendimet e ish-drejtorit, Hasan Pretenit.

“Deri me sot nuk e kemi marrë një precizim formal se kjo padi nga paditësi i dytë është precizuar si paditës individual dhe po ashtu ne nuk kemi ndonjë informacion nga avokatura shtetërore se a e kanë pyetur këta drejtorin e tanishëm të Agjencisë se a e trashëgon këtë pretendim të paraardhësit të tij”, tha Salihu.

Përfaqësuesi i AKK- së, avokati i përgjithshëm shtetëror, Heset Mazrekaj, qysh nga fillimi i seancës deklaroi se nuk e posedon padinë dhe provat relevante të çështjes, duke kërkuar kështu që të shtyhet seanca.

Por një kërkesë e tillë u refuzua nga gjykatësja e rastit, Mevlude, derisa edhe palët e tjera gjatë fazës së administrimit të provave deklaruan se nuk i posedojnë këto prova.

Kështu, të autorizuarit e palëve ndërgjygjëqësore u obliguan nga gjykata që në afatin prej tri ditësh, provat të cilat i kanë cekur në padi dhe ato në përgjigjen në padi, t’ia dorëzojnë Gjykatës në kopje të mjaftueshme për palët në procedurë.

Si rezultat, seanca e radhës u caktua për muajin maj.

Preteni dhe AKK në këtë gjykim po kërkojnë 150 mijë euro nga këto OJQ për shpifje.

Preteni dhe AKK po kërkojnë nga Gjykata që të nxjerrë aktgjykim përmes të cilit të paditurit “Çohu”, Lorik Bajrami dhe Artan Demhasaj, përfaqësues të kësaj organizate, si dhe Besnik Boletini nga Qendra e Kosovës për Gazetari Hulumtuese, në mënyrë solidare atyre në emër të shpërblimit për dëmin jometarial për shkak të shpifjeve që i kanë bërë t’ia paguajnë në total shumën prej 150 mijë euro, AKK-së 50 mijë dhe Hasan Pretenit 100 mijë.

Sipas padisë, përfaqësuesit e OJQ-së “Çohu” në vitin 2012 në një konferencë për medie kishin deklaruar se Preteni ka mbrojtur 7 deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës për mosdeklarim të pasurisë.

Në këtë proces gjyqësor paditësi pretendon se “Çohu” ka shpifur për të gjatë kohës sa ishte drejtor i AKK-së.

Sipas padisë, që të gjitha këto deklarime të prezantuara në konferencë për media nga OJQ “Çohu” më 16 shkurt 2012 i kanë publikuar në gazetën mujore “Preportr” në muajin prill të vitit 2012, në faqen 4, 5 dhe 6.

Preteni pretendon se është ndjerë i fyer nga ky publikim, përmes përhapjes së fakteve të pavërteta.

Më tej, në padi ai ka pretenduar se ky publikim ka sulmuar vlerat e tij personale dhe në këtë mënyrë ka dëmtuar rëndë nderin dhe autoritetin e tij personal si dhe të AKK-së.

Në anën tjetër, në përgjigjen në padi, organizata “Çohu” ka kërkuar nga Gjykata që padia e Pretenit të refuzohet si e pabazuar dhe jolëndore.

Ata e kanë quajtur të parregullt padinë e personit juridik (AKK-së) dhe personit fizik (Hasan Preteni), me arsyetimin se Preteni nuk mund të paraqitet si i dëmtuar dhe në të njëjtën kohë si person fizik ngase ‘ai është drejtor i saj’.

“Padia e paditësit të parë dhe paditësit të dytë është e paqartë, konfuze dhe e parregullt sepse paditësi i dytë nuk ka legjitimitet aktiv për ta përfaqësuar paditësin e parë veç me faktin se ai e drejton këtë organizatë sipas ligjit. Përkundrazi ka konflikt interesi sepse dëshiron që përmes paditësit të parë të realizojë një shpërblim të supozuar moral nga shpifja që pretendon se i është bërë atij nga Organizata Çohu”, shkruhet në përgjigjen në padi të cilën e ka siguruar KALLXO.com.

Sipas të gjeturave të prezantuara në konferencën për media më 16 shkurt 2012, 7 deputetë nuk e kishin deklaruar pasurinë e tyre në bazë të Ligjit dhe nuk kanë deklaruar një pjesë të bizneseve të tyre, “të cilat kanë pasur për obligim ta bëjnë”.

Për këto raste, “Çohu” thotë se drejtori i Agjencisë në një prononcim televiziv më 6 dhjetor 2011 kishte mbrojtur këta deputetë me arsyetimin se nuk e kanë shkelur Ligjin, pasi që bizneset i kanë pasur pasive dhe të njëjtat nuk kanë pasur qarkullim dhe asnjë aktivitet.

Më tej, sipas të paditurve, Preteni e AKK në padi nuk kanë arritur të sqarojnë se cilat ishin veprimet shpifëse ndaj Agjencisë dhe cilat ndaj paditësit të dytë, vet Hasan Pretenit dhe se padia nuk specifikon se kur Preteni i referohet vetvetes, kur i referohet pozitës së tij apo kur po i referohet Agjencisë.

“Çohu” tërë kohë i është referuar Pretenit si drejtor i Agjencisë, që ka vepruar në kundërshtim me rregullat e brendshme, ashtu që ka shkelur ligjin dhe se Preteni në cilësinë e drejtorit apo vartësit e tij kanë falsifikuar dokumentet zyrtare duke ndërhyrë në formular përmes të cilave ka legalizuar përmbajtje të pavërtetë.

http://kallxo.com/shtyhet-seanca-ku-hasan-preteni-kerkon-nga-cohu-150-mije-euro-per-shpifje/

KALLXO.com ka raportuar edhe për seancën përgatitore të këtij procesi të mbajtur në nëntor.