Presidentja Kroate-Takime me Thaçin dhe KFOR-in

Grabar-Kitaroviq së pari u takua me Presidentin Thaçi, e pastaj vizitoi shtabin e KFOR-it në Kampin “Film City”.

Sipas komunikatës së Presidencës Grabar-Kitaroviq në takim uroi Thaçin për zgjedhjen në krye të shtetit të Kosovës.

“Urime të përzemërta për postin e ri. Do të keni mbështetjen time të plotë dhe të popullit kroat,” tha Presidentja kroate.

Komunikata sqaron se Thaçi falënderoi Kroacinë për mbështetjen.

“Unë dhe populli i Kosovës jemi mirënjohës për mbështetjen që Kroacia i ka dhënë vendit tonë. Prania juaj sot këtu dëshmon këtë përkushtim,” tha Thaçi.

Kolinda Grabar-Kitaroviq u takua sot edhe me komandantin e KFOR-it Guglielmo Luigi Miglietta.

“Gjenerali Miglietta dhe Presidentja Kitaroviq diskutuan rreth situatës së përgjithshme në Kosovë dhe zhvillimeve të fundit mbi sigurinë në rajon,” thuhet në një komunikatë të lëshuar nga Zyra për Marrëdhënie me Publikun në kuadër të KFOR-it.

MERCURI (4)

Komandanti i KFOR-it sipas komunikatës lavdëroi profesionalizmin e ushtarëve kroatë.

“Takimi gjithashtu ishte një mundësi për gjeneralin Miglietta që të theksojë profesionalizmin e lartë të ushtarëve kroatë në përmbushjen e mandatit të KFOR-it,” thuhet në komunikatë.

Kolinda Grabar-Kitaroviq tha se Kroacia do ta vazhdojë kontributin në KFOR.

“Kroacia është plotësisht e angazhuar në ruajtjen e stabilitetit në Evropën Juglindore dhe do të vazhdojë të kontribuojë në KFOR për një Kosovë demokratike dhe paqësore,” tha Presidentja kroate.

Aktualisht ushtarët kroatë veprojnë në njësitin e helikopterëve në Kampin “Bondsteel” dhe janë pjesë e stafit të Shtabit të Përgjithshëm në “Film City”.