Kolinda Grabar Kitaroviq, Presidente e Kroacisë

Presidentja kroate kundër shkëmbimit të territoreve Kosovë- Serbi

Presidentja e Kroacisë, Kolinda Grabar- Kitaroviq është shprehur kundër idesë së shkëmbimit të territoreve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Duke folur nga Nju Jorku ku po qëndron gjatë punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, Grabar- Kitaroviq tha se shteti i saj mbështet parimet e nxjerra nga një komision ndërkombëtar i ngritur në fillim të 1990 për kufijtë e njësive të ish-Jugosllavisë.

“Ka qenë interesante të flas me Presidentin e Kosovës Thaçin rreth marrëdhënieve mes Beogradit e Prishtinës dhe çështjen e fundit për të cilën dëgjojmë rreth shkëmbimit eventual të territoreve. Ne jemi shumë të kujdesshëm dhe i kam prezantuar argumentet tona dhe faktin se parimi i Komisionit të Badinter-it rreth kufijve të territoreve të ish- Jugosllavisë duhet të mbetet i paprekur”, tha thënë Grabar- Kitaroviq, raporton gazeta kroate ‘Vecernji List’.