Presidentit i kërkohet të mos e dekretojë Safet Hoxhën në Gjykatën Kushtetuese
Organizata për Demokraci, Anti-korrupsion dhe Dinjitet, ‘Çohu’, përmes një letre ka shprehur shqetësim në lidhje me përzgjedhjen e kandidatëve për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese me të kaluar funksionale politike.
“Përmes kësaj letre Çohu kërkon mosdekretimin e anëtarëve me të kaluarën funksionale politike”, theksohet në letrën e organizatës ‘Çohu’.
Ky reagim vjen pasi të premten, më 6 korrik 2018, Kuvendi i Republikës së Kosovës ka votuar tre anëtarët e ri të Gjykatës Kushtetuese të cilët presin dekretimin nga presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi. Anëtarët e votuar për Gjykatën Kushtetuese janë, Remzije Istrefi-Peci, Nexhmi Rexhepi dhe Safet Hoxha.
Në letër është shkruar që njëri nga anëtarët e votuar për Gjykatën Kushtetuese, Safet Hoxha ka qenë pjesë e PDK-së.
“Duke u thirrur në përzgjedhjen dhe votimin e fundit, njëri nga anëtarët e votuar, Safet Hoxha, përveçse ka qenë Këshilltar Komunal i Partisë Demokratike të Kosovës në Kuvendin Komunal të Suharekës, ai gjithashtu kishte marrë pjesë në tubimet politike të kësaj partie në Komunën e Suharekës, të cilën e kishte konfirmuar edhe ai vetë. Për më tepër, në zgjedhjet e përgjithshme për Këshill Drejtues të PDK-së në vitin 2013, Safet Hoxha edhe ishte kandiduar për anëtar të Këshillit Drejtues të Përgjithshëm të PDK-së”, thuhet në letrën e oranizatës ‘Çohu’.
Sipas tyre kandidatët si Hoxha nuk përmbushin kriteret e nevojshme të integritetit dhe të pavarësisë profesionale, duke cënuar kështu “paanshmërinë dhe pavarësinë e Gjykatës Kushtetuese”, duke kërkuar nga presidenti që të mos e dekretojë anëtarin e votuar me të kaluar funksionale politike.
“Zgjedhja dhe dekretimi i anëtarëve me të kaluarën politike do të thellojë mosbesimin e qytetarëve në funksionimin dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese dhe do të rrezikojë paanshmërinë dhe funksionimin e pavarur të gjykatës. Prania e ish-zyrtarëve politikë në Gjykatën Kushtetuese cënon integritetin, paanshmërinë dhe pavarësinë e organit më të lartë kushtetues të vendit”, vazhdon letra.
‘Çohu’ gjithashtu ka shprehur shqetësimin në lidhje me zbrazëtinë ligjore e cila mundëson përbërjen e Gjykatës me anëtarë të cilët kanë të kaluarën politike.
Ata kanë theksuar se zbrazëtitë ligjore në Ligjin për Gjykatën Kushtetuese vazhdojnë t’u japin mundësinë njerëzve me të kaluarën politike të jenë gjyqtarë në institucionin me të lartë kushtetues, Gjykatën Kushtetuese si gardian i Kushtetutës së Republikës së Kosovës.
“Deputetët e Kuvendit të Kosovës në vend të fokusit në përzgjedhjen e kandidatëve më të përshtatshëm të politikës, do të duhej të kujdeseshin dhe të iniciojnë ndryshimet e dispozitave ligjore të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese, të cilat kanë të bëjnë me kriteret e të qenit gjyqtar kushtetues, duke garantuar kështu kandidatë me integritet të lartë personal dhe profesional, të cilët do të garantonin profesionalizmin dhe pavarësinë e funksionimit të Gjykatës Kushtetuese”, thuhet në letrën e organizatës ‘Çohu’.
Në letër potencohet që ndikimi që politika mund të ushtrojë mbi ish-anëtarët e saj dhe vetë prania e tyre në Gjykatë gjatë ushtrimit të funksioneve si gjyqtarë kushtetues, nuk do të garantojë mbrojtjen e Kushtetutës dhe kushtetutshmërinë, dhe se do ta dëmtojë reputacionin dhe funksionimin profesional dhe të pavarur të vetë Gjykatës, sidomos në çështjet e ndjeshme të karakterit politik.