Presidentit i dorëzohen nënshkrimet për bashkimin e Mitrovicës nga Agim Bahtiri
Kryetari i Komunës së Mitrovicës së Jugut, Agim Bahtiri, ka thënë se të enjten (21shkurt 2019) do t’ia dorëzojë presidentit Hashim Thaçi peticionin me 16.584 nënshkrime për bashkimin e Mitrovicës.
“Pas situatës së krijuar me opinionet dhe rekomandimet e MAPL-së të cilat po i bën Sekretarja, unë nesër në ora 10:00 peticionin me mbi 16.584 nënshkrime të qytetarëve për bashkimin e Mitrovicës në një komunë të vetme, do t’ia dorëzoj zyrtarisht edhe presidentit të Kosovës, z. Hashim Thaçi, me të cilin kam takim zyrtar”, ka shkruar Bahtiri në Facebook.
Ai e ka cilësuar të turpshëm veprimin e Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, duke thënë se kjo ministri nuk mund të ndërhyjë me rekomandime e opinione pa asnjë efekt ligjor.
Ai ka kërkuar nga kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, si pranues i peticionit, që ta procedojë tutje për t’u votuar nga deputetët në njërën prej seancave të ardhshme pa vonesë.
“Sidoqoftë, qytetarët e Mitrovicës nuk duhet të brengosen, sepse pavarësisht sfidave dhe pengesave që dikush qëllimisht po i sponsorizon, qyteti i Mitrovicës do të bashkohet së shpejti në një komunë të vetme, ashtu siç ka qenë dhe siç funksionon më së miri”, ka shkruar Bahtiri.
https://kallxo.com/mapl-pranon-kerkesen-e-bahtirit-per-bashkimin-e-mitrovices/
.