Presidenti: Zgjedhjet më 11 Qershor

Pas diskutimeve me përfaqësuesit e partive politike, Presidenti Hashim Thaçi caktoi 11 qershorin datën e mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme.

“Zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës do të mbahen më 11 qershor. Udhëzohet KQZ që t’i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për organizimin dhe mbajtjen e këtyre zgjedhjeve”, thuhet në vendimin e Presidentit, i cili hyn në fuqi sot.

Të mërkurë, menjëherë pas rrëzimit të qeverisë, Thaçi shpërbëri Kuvendin, ndërsa vetëm një ditë pas thirri përfaqësuesit e partive për t’i konsultuar për datën e këtyre zgjedhjeve, të cilat do të mbahen fiks pas një muaji, më 11 qershor.

Në takimin e mëngjesit, për këtë datë u pajtuan edhe Hajredin Kuçi, Pal Lekaj, Valdete Bajrami, Agim Bahtiri, Valon Murati, Sllavko Simiq, Nenad Rashiq, Ferid Agani e Sllobodan Petroviq, në emër të subjekteve që përfaqësojnë.

Smajl Kurteshi e Mahir Yagcilar thanë se zgjedhjet duhet të mbahen më 18 qershor.

Zgjedhjet më 11 ose 18 Qershor

Ndryshe, më 11 qershor në Shkodër luhet ndeshja eliminatore për botërorin “Rusia 2018” mes  Kosovës dhe Turqisë.