Presidenti uron vitin e ri shkollor

Më shumë investime në cilësi, ishte lutja e Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi në ditën e fillimit të vitit të ri shkollor.

Ai përmes një statusi në Facebook uroi këtë ditë duke lavdëruar edhe punën që sipas tij është bërë në vazhdimësi nga institucionet në fushën e arsimit.

“Të gjithë nxënësve dhe mësimdhënësve u uroj suksese në këtë vit të ri shkollor, i cili po nis sot. Si institucione dhe si shoqëri kemi investuar në vazhdimësi në sistemin tonë arsimor, në mënyrë që fëmijëve tanë t’iu ofrojmë një arsimim sa më cilësor. Kemi investuar në infrastrukturë, në objekte të reja shkollore dhe në pajisjen e tyre me teknologji moderne, me qëllim të krijimit të kushteve sa më të mira, që nxënësit tanë të bëhen pjesë e konkurrencës në dije kudo në botë”, shkroi ai.

Megjithatë ai theksoi përmirësimi i cilësisë dhe investimi në dije nuk është asnjëherë i bollshëm, prandaj kërkohen edhe më shumë investime dhe angazhim për ngritjen e cilësisë dhe arritjen e rezultateve më të mira.