Kryetari i FFK-së, Fadil Vokrri mirëpret presidentin e UEFA-s, Aleksander Çeferin - Foto: KALLXO.com

Presidenti i UEFA-s Premton Investime në Infrastrukturën e Futbollit Kosovar

Këtë premtim presidenti i UEFA-s, Aleksander Çeferin, e bëri gjatë vizitës që i bëri Federatës së Futbollit të Kosovës.

I pyetur nëse ka afate apo sa është shuma që mund t’i marrë FFK-ja, Çeferin u përgjigj se UEFA ka një program të quajtur “hat-trick”, ku secili asociacion merr të njëjtën shumë parash.

“Janë shumë para për Kosovën, janë shumë edhe për shembull Slloveninë dhe me siguri jo shumë për shembull Gjermaninë. Mirëpo, Federata duhet të vërtetojë se ku nevojiten para”, tha ai.

Sipas të parit të UEFA-s, investimet në masë të madhe varen nga bashkëpunimi i FFK-së me organizatën që e drejton ai, sepse ekipet e UEFA-s sipas tij vijnë në Kosovë sa herë të kërkojë FFK-ja.

Ndërsa, kreu i FFK-së, Fadil Vokrri, e falënderoi kryetarin e UEFA-s për vizitën dhe për ndihmën që ai i ka dhënë Kosovës jo vetëm për anëtarësim në UEFA, në vitin 2016, por edhe më herët gjatë kohës kur ai ishte në Federatën Sllovene të Futbollit.

Vizita e presidentit të UEFA-s ishte e para në rajon. Këtë gjë Aleksander Çeferin e arsyetoi duke treguar se ishte ftuar nga FFK-ja dhe se ka miqësi të mirë me kryetarin Vokrri.