Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.

Presidenti thyen heshtjen, javën e ardhshme konsultimet me partitë politike

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, javën e ardhshme pritet që të fillojë konsultimet me partitë politike në Kosovë për tejkalimin e situatës pas dorëheqjes së kryeministrit Haradinaj. Në njoftimin e tij ai nuk ka përmendur se do të caktojë datë të zgjedhjeve.

“Presidenti i Republikës së Kosovës i siguron gjithë qytetarët se çdo veprim i tij do të jetë në pajtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe duke filluar nga java e ardhshme do t’i fillojë konsultimet me partitë politike/koalicionet për ndërmarrjen e hapave të mëtejmë që çojnë në tejkalimin e situatës së krijuar nga dorëheqja e kryeministrit”, thuhet në komunikatën e presidencës.

Tutje në Komunikatën e lëshuar nga zyra e presidentit theksohet se hapat në vijim do të merren për mbrojtjen e interesave të qytetarëve.

“Mandati kushtetues i Presidentit të Republikës së Kosovës është i pacenueshëm për të siguruar respektim të parimit të ndarjes së pushteteve dhe për të ruajtur sigurinë e rendit juridik e kushtetues në vendin tonë. Prandaj, çdo hap që do të ndërmarrë presidenti do të jetë në përputhje vetëm me interesat e qytetarëve dhe interesat shtetërore”, theksohet në aty.

Javën e kaluar kryeministri Ramush Haradinaj ka dhënë dorëheqje të parevokueshme nga posti i kryeministrit pas ftesës nga Gjykata Speciale.

Partitë duan zgjedhje, presidenti hesht