Flamuri amerikan dhe ai i Kosovës - Foto: Facebook/HashimThaci

Presidenti Thaçi takohet me John Bolton, merr mbështetje për marrëveshje me Serbinë

Presidenti Hashim Thaçi ka marrë mbështetjen e administratës amerikane për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Sipas një komunikate të Presidencës së Kosovës, presidenti Thaçi sot në Washington është takuar me John Bolton, këshilltari për Siguri Kombëtare i presidentit amerikan Donald Trump.

Në komunikatën e Presidencës thuhet se John Bolton e ka siguruar presidentin Thaçi se Shtëpia e Bardhë dhe administrata Trump e mbështetë fuqishëm arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Presidenti Thaçi është takuar me këshilltarin për Siguri Kombëtare në kuadër të vizitës zyrtare në ShBA, ku dje është takuar me Sekretarin e Shtetit, Mike Pompeo.

Sot presidenti Thaçi pritet të takojë edhe përfaqësues të tjerë në Kongres, Senat dhe institucione të tjera amerikane.