Presidenti Thaçi shpall listën e organizatave terroriste për vitin 2019

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, sot ka nxjerr dekret i cili obligon institucionet e sigurisë të krijojnë listën vendore të personave, grupeve dhe organizatave të përfshira në akte terroriste, të cilat do i nënshtrohen masave kufizuese në territorin e vendit.

Sipas një komunikate, deri në krijimin e listës vendore, institucionet e sigurisë e Kosovës do ta zbatojnë Listën e Bashkimit Evropian të personave, grupeve dhe organizatave të përfshira në akte terroriste, e cila është rifreskuar më 8 janar 2019.

Më tutje thuhet së, këto institucione obligohen që t’i ndërmarrin masat kufizuese përkatëse, në pajtim me praktikat ndërkombëtare, ndaj të gjithë personave, grupeve dhe organizatave të përfshira në Listën e Bashkimit Evropian.

“Si pjesë aktive e aleancës globale kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm, Republika e Kosovës do të vazhdojë bashkëpunimin e ngushtë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimin Evropian dhe partnerët e tjerë për eliminimin e çfarëdo rreziku që i kanoset Kosovës dhe partnerëve të saj”, është thënë në njoftimin e Presidencës.

Bashkangjitur më komunikatën është edhe lista e Bashkimit Evropian në vitin 2019, të cilin mund ta shihni në këtë link.