Presidenti Ideal për Jakup Krasniqin

Ish- Kryetari i Kuvendit të Kosovës dhe Kryetar i Këshillit Kombëtar të Nismës për Kosovën Jakup Krasniqi thotë se opozita nuk i ka numrat për të propozuar dikë për President të vendit.

Në media dhe rrjete sociale, Murat Jashari dhe Rexhep Qosja ditëve të fundit janë lakuar dy emra si kandidatura të mundshme për President nga ana e opozitës, atëherë kur të vijë në rend të ditës votimi për kreun e shtetit.

Presidentja aktuale Atifete Jahjaga, ka mandat deri në fillim të prillit dhe sipas Kushtetutës së Kosovës, një president i ri duhet të zgjidhet së paku 30 para se asaj t’i skadojë mandati.

Nga ana tjetër, koalicioni qeveritar e ka të gatshëm emrin e vet për President.

Marrëveshja për koalicion PDK- LDK ia jep pozitën e të parit të shtetit PDK-së, ndërsa kandidaturë e vetme e kësaj partie është kryetari i saj, Hashim Thaçi.

Jakup Krasniqi i cili ka qenë bashkëpunëtor i ngushtë i Thaçit për gati 15 vjet si pjesë e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së dhe më vonë në PDK, në një intervistë për KALLXO.com konsideron se votimi i Thaçit për President është tashmë punë e kryer.

Për këtë arsye, ai i merr me rezerva idetë për një kandidat të mbështetur nga opozita për President.

“Kjo mund të jetë njëfarë loje mediale për faktin se mes koalicionit qeverisës ekziston një marrëveshje dhe sipas asaj marrëveshje janë marrë vesh që kandidati për President të jetë Hashim Thaçi. Tash shtrohet pyetje kush duhet ta propozojë Murat Jasaharin apo Rexhep Qosjen për President? Nëse mendohet opozita, ajo nuk i ka numrat, nëse themi koalicioni qeverisës në të cilin mund të konsiderohet se ekziston një krizë edhe pse unë nuk e kam atë bindje”, tha Krasniqi.

Kur është fjala te kandidatura e Murat Jasharit, ish kryeparlamentari e ka një përvojë kur ai kishte tentuar të zgjedhej Avokat i Popullit në vitin 2008.

Në ditën kur pritej votimi i tre kandidatëve të sjellë në Kuvend, Krasniqi doli me vendimin për ta përsëritur konkursin.

Sot, Jakup Krasniqi, dha për KALLXO.com arsyet e anulimit të atij votimi.

“Ka qenë një ndërhyrje nga jashtë dhe vetë kandidati është tërhequr. Ne e kemi pasur gatishmërinë dhe vullnetin që ai të ishte (Avokat i Popullit). Nuk e di nga kanë ndërhy por ka pasur ndërhyrje”, tha Krasniqi.

Pavarësisht kësaj, Krasniqi thotë se Murat Jashari mund të jetë personi adekuat për pozitën e Presidentit.

“Në këto momente është njeriu më i përshtatshmi për të qenë unifikues i skenës politike, duhen personalitete që unifikojnë skenën politike”, tha ai.

Mendim të njëjtë, Krasniqi ka edhe për akademikun Rexhep Qosja, i cili në paraqitjet e fundit publike, është vënë në krah të kauzës së opozitës dhe në kundërshtim të plotë të kryeministrit Isa Mustafa dhe zëvendësit të tij, Hashim Thaçi.

Por ai pret që koalicioni qeveritar të mos e ketë të vështirë t’i mbledhë 80 deputetë në seancë për ta proceduar zgjedhjen e Presidentit.

“Unë mendoj se Thaçi i ka bërë një shërbim të mirë Lidhjes Demokratike, ua ka dhënë Kryeministrin dhe përkundër atyre kundërshtive të Lidhjes Demokratike që nuk do ta votojnë ata do ta votojnë Thaçin sepse janë në pozicione për të përfituar nga buxheti i varfër i Kosovës për interesat e tyre”, tha Krasniqi.

Duke folur për protestën e radhës të thirrur nga opozita më 17 shkurt, në ditën kur Kosova feston tetëvjetorin e shpalljes së pavarësië, Krasniqi tha se pret që ajo të jetë një shprehje paqësore e pakënaqësisë nga ana e protestuesve.

“Unë konsideroj që protesta e 17 shkurtit do të jetë e qetë, një protestë që qytetarët do ta shpreshin me prezencën e tyre pakënaqësinë e tyre”, tha Krasniqi për KALLXO.com.