Presidenti maqedonas, Gjorge Ivanov. Foto: president.gov.mk

Presidenti ia Mohon Zaevit të Drejtën për të Formuar Qeverinë

Presidenti maqedonas ka refuzuar t’i japë liderit socialdemokrat Zoran Zaev mandatin për të krijuar një qeveri, pavarësisht se ky siguroi shumicën në Parlament, me pretendimin se ai kishte potencialin “të shkatërronte vendin” duke pranuar kërkesat e partive të shqiptarëve etnikë në vend.

“Kushtetuta dhe ndërgjegjja ime më ndalojnë t’i jap mandat kujtdo që do të shkatërrojë sovranitetin dhe integritetin e Maqedonisë”, tha Gjorge Ivanov, duke shtuar se Zaev duhet së pari të refuzojë publikisht “platformën që vjen nga një vend tjetër”, duke iu referuar Shqipërisë.

Ivanov këmbënguli se platforma etnike shqiptare, që ka qenë kushti kryesor i partive shqiptare etnike për të mbështetur cilindo koalicion qeveritar pas zgjedhjeve të 11 dhjetorit, shkelte Kushtetutën dhe Marrëveshjen e Paqes të Ohrit të 2001 duke i dhënë më shumë të drejta shqiptarëve etnikë në vend.

Përpara një vizite të shefes së politikës së jashtme të BE-së, Federica Mogherini, të lajmëruar për të enjten, Ivanov tha se komuniteti ndërkombëtar kishte dështuar të dënonte platformën shqiptare dhe e kishe humbur besueshmërinë për të ndihmuar në zgjidhjen e krizës së thellë politike në Maqedoni.

Fjalimi presidencial pasoi dy ditë të heshtjes totale nga kabineti presidencial, që nga e hëna, kur lideri i opozitës Zaev i dorëzoi atij 67 firma nga 120 deputetë të vendit, si një provë të mazhorancës dhe kërkoi mandat për të formuar një qeveri të re.

Ndërkohë, për të tretën ditë radhazi, mbështetësit e partisë nacionaliste VMRO DPMNE, që ka mbajtur pushtetin prej 2006, protestuan në Shkup dhe qytete të tjera kundër qeverisë që Zaev lajmëroi.

Protestuesit gjithashtu kërcënuan për herë të parë të drejtohen në selinë e opozitës në Shkup të mërkurën në mbrëmje.

Ashtu si VMRO DPMNE, protestuesit pretendojnë se një koalicion qeveritar mes LSDM-së dhe partive etnike shqiptare do të vinte në rrezik Maqedoninë, dhe bënë thirrje për mobilizim në mbrojtje të vendit.

Maqedonia nuk ka formuar ende një qeveri të re pavarësisht se zgjedhjet e përgjithshme u mbajtën më shumë se dy muaj më parë. Votimi përfundoi me një rezultat të ngushtë mes VMRO DPMNE dhe LSDM.

Gjatë ditëve të fundit, SHBA, BE dhe NATO i kanë nxitur politikanët maqedonas të mos humbasin kohë dhe të formojnë një qeveri të re sa më shpejt të jetë e mundur për të dalë nga kriza e thellë politike.

Kriza rrotullohet te pretendimet e opozitës se kryetari i VMRO DPMNE dhe ish-kryeministri Nikola Gruevski ka urdhëruar përgjim masiv të 20.000 personave, përfshirë ministrat e tij.

Gruevski i ka mohuar akuzat dhe ka këmbëngulur se përgjimet e bëra publike nga opozita janë të sajuara. Prokuroria Speciale e Maqedonisë po heton akuzat e ngritura prej përgjimeve që prej vitit 2015.

BDI tha më herët se shefi i VMRO DPMNE Gruevski kishte pranuar platformën shqiptare gjatë bisedimeve për krijimin e qeverisë, por nuk kishte rënë dakord në zgjatjen e mandatit të Prokurorisë Speciale, që po heton zyrtarët më të lartë në vend.