Presidenti i Kinës viziton Korenë e Veriut

Presidenti i Kinës, Xi Jinping, do të realizojë një vizitë shtetërore këtë javë në Korenë e Veriut.

Xi do të takojë udhëheqësin verikorean, Kim Jong Un, gjatë vizitës të enjten dhe të premten, raportoi televizioni shtetëror i Kinës, CCTV.

Sipas tij, udhëtimi do të jetë i pari i tillë i një udhëheqësi kinez në 14 vjet.

Agjencia e lajmeve e Koresë së Veriut KCNA njoftoi për vizitën, por nuk dha më shumë detaje.

Vizita përkon me 70-vjetorin e themelimit të marrëdhënieve diplomatike midis Kinës dhe Koresë së Veriut.

Sipas televizionit CCTV, dy liderët do të shkëmbejnë pikëpamje mbi situatën në Gadishullin Korean.

Vizita vjen në kohën kur bisedimet e Shteteve të Bashkuara me Korenë e Veriut, rreth programit të saj bërthamor, kanë ngecur.

Në muajin shkurt, një samit në Vjetnam midis Kimit dhe presidentit amerikan, Donald Trump, ka dështuar për shkak të dallimeve midis palëve.