Presidenti i BERZh-it, Sir Suma Chakrabarti, Foto: BERZh

Presidenti i BERZh-it viziton Kosovën

Presidenti i Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZh), Sir Suma Chakrabarti, do ta vizitojë Kosovën më 18 prill gjatë një turneu në rajonin e Ballkanit Perëndimor në përgatitje për takimin vjetor të Bankës për vitin 2019 që do të mbahet në Sarajevë në muajin maj.

Kjo është vizita e parë e presidentit Chakrabarti që nga viti 2016.

Gjatë qëndrimit të tij njëditor, presidenti Chakrabarti do të takohet me zyrtarë qeveritarë, duke përfshirë kryeministrin Ramush Haradinaj, ministrin e Financave, Bedri Hamza dhe ministrin e Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka.

“Në takimet e tij, kreu i BERZh-it do ta ritheksojë zotimin e Bankës ndaj shtetit dhe tërë rajonit të Ballkanit Perëndimor. Ai gjithashtu do ta riafirmojë qëndrimin e Bankës si një partner strategjik i Kosovës dhe investitor kryesor institucional me mbi 363 miliona euro të investuara deri më sot në 63 projekte”, thuhet në njoftimin e BERZh-it.

Fokusi i Bankës në Kosovë është në përkrahjen e zhvillimit konkurrues të sektorit privat, përmirësimin e sigurimit të energjisë, qëndrueshmërinë dhe konektivitetin mbështetës si dhe në integrimin rajonal.

BERZH i shtoi aktivitetet e saj në Ballkanin Perëndimor vitin e kaluar dhe investoi më shumë se 1.1 miliard euro përmes 67 projekteve. Përgjatë gjithë rajonit, synohet ruajtja ose rritja e lehtë e këtij niveli.

Në Kosovë, BERZh po e synon një rritje të ndjeshme të investimeve, nga 52 milionë euro sa ishin në vitin 1982, në 100 milionë euro gjatë periudhës së ardhshme.

Qyteti i Prishtinës iu bashkua programit të gjelbërimit urban të BERZh-it, ‘BERZh Green Cities’, në fund të vitit 2018. Kjo do ta ndihmojë qytetin në identifikimin e veprimeve dhe investimeve prioritare që do të implementohen gjatë përmirësimit të infrastrukturës së saj.

Pas deklaratës së Bankës Botërore se nuk do të ofrojë mbështetje për termocentralin ‘Kosova e Re’ edhe Banka Evropiane për Ndërtim dhe Zhvillim (BERZh) e kishte konfirmuar se nuk është duke shqyrtuar mbështetjen për këtë projekt, raporton Bankwatch Network.

Duke iu përgjigjur një hetimi nga Instituti për Ekonominë dhe Analizën Financiare të Energjisë (IEEFA), një zëdhënës i BERZH tha se “BERZH nuk është duke e shqyrtuar këtë projekt”, duke i dhënë fund viteve të pasigurisë nëse banka do të bënte një përjashtim nga politika e saj e përgjithshme e energjisë që kufizon financimin e thëngjillit.

Lajmi kishte ardhur pasi BERZH po përgatitet të miratojë një Strategji të re të Energjisë për pesë vitet e ardhshme, në të cilën duket se do të përjashtojë plotësisht financimin e drejtpërdrejtë për thëngjill, por deri më tani ka bërë angazhime të pamjaftueshme për të shmangur financimin e naftës dhe gazit.

https://kallxo.com/edhe-nje-banke-nderkombetare-i-thote-jo-termocentralit-kosova-e-re/

.