Presidenti Hashim Thaçi. Foto: Kallxo.com

Presidenti hesht, hyn në fuqi ligji për rrogat

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi nuk e ka dekretuar Ligjin për pagat.

Kështu kanë konfirmuar për Radion Evropa e Lirë nga zyra e presidentit.

“Projektligji për Pagat nuk është dekretuar nga presidenti, por pas përfundimit të afatit ligjor ka hyrë në mënyrë të heshtur në fuqi. Zyra e presidentit ka marrë premtime nga sponsorët e këtij projektligji, se do t’i marrin parasysh të gjitha shqetësimet e paraqitura dhe në të ardhmen e afërt do t’i bëjnë plotësimet dhe ndryshimet e nevojshme”, thuhet në një përgjigje dërguar REL-it nga zyra për informim e presidencës.

Ndërkaq, sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit të Kosovës, Ismet Krasniqi ka thënë për KALLXO.com, sipas Kushtetutës së Kosovës, ligjet konsiderohen të shpallura edhe pa dekretimin nga ana e Presidentit.

Në pikën 5 neni 80 i Kushtetutës së Kosovës thuhet se,  nëse Presidenti i Republikës së Kosovës, brenda tetë (8) ditësh pas marrjes së ligjit, nuk merr asnjë vendim për shpalljen ose kthimin e tij, ligji konsiderohet i shpallur, pa nënshkrimin e saj/tij dhe publikohet në Gazetën Zyrtare.

Ligji për pagat u miratua me 2 shkurt të këtij viti në Kuvendin e Kosovës dhe përmes tij shumë zyrtarëve të sektorit publik ju është rritur rroga.

Por, punonjësit shtetëror nuk do t`i marrin rrogat me rritje këtë muaj për shkak të procedurave kushtetuese pas miratimit të ligjit.

Ligji për rrogat është përcaktuar që të hyjë në fuqi pas nëntë muajve.  I njëjti ka shkaktuar pakënaqësi të mëdha tek mijëra punonjës të sektorit publik në Kosovë.

https://kallxo.com/ligji-per-rrogat-mund-te-kthehet-ne-piken-zero/?fbclid=IwAR1kX7z5Yt4LRjCZMaImo17sQrbmE7AWpo_jJ3CLjR3dXdMs7C7n8A4Fz24

.