Presidenti feston me komunitetin rom në Prizren, dekoron deputetët e ndjerë Haxhi Merxha e Kujtim Paçaku

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka dekoruar deputetët e ndjerë të Kuvendit të Kosovës, Haxhi Merxha dhe Kujtim Paçaku.

Dekorimin presidenti e ka bërë me rastin e ditës së komunitetit rom, të cilët i përkisnin Merxha e Paçaku.

“Ishte kënaqësi që mora pjesë sonte në festën e komunitetit rom në Prizren, me të cilin kremtuam Ditën Ndërkombëtare të Romëve. Për të nderuar kontributin e këtij komuniteti në lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, i dekorova, pas vdekjes, ish-deputetin Haxhi Merxha dhe poetin Kujtim Paçaku”, ka shkruar Thaçi në Facebook.

Tutje Thaçi ka thënë se Kosova gjithmonë do t’i respektojë të drejtat e komuniteteve, të cilat burojnë nga Kushtetuta.

Gjatë ditës së sotme në Kosovë u shënua Dita e Romëve.

Krerët e shtetit falënderuan komunitetin rom për kontributin e tyre në Kosovë.

Edhe kryeministri, Ramush Haradinaj ka uruar komunitetin rom duke thënë se komuniteti rom është pjesë e pandarë e shoqërisë dhe që sipas tij, Kosova synon të rrisë ndërgjegjësimin mbi sfidat me të cilat përballet ky komunitetet.

Ndërsa kryeparlamentari Kadri Veseli takoi përfaqësues të komunitetit rom dhe premtoi mbështetje institucionale.