Kryeministri Haradinaj nënshkruan letrat e urimit për Krishtlindjen - Foto: Facebook

Presidenti dhe Kryeministri Urojnë Besimtarët e Krishterë

Besimtarët e krishterë i ka uruar presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.

“Kjo ditë e rëndësishme për besimtarët e krishterë dhe mbarë njerëzimin, uroj të sjellë sa më shumë paqe e dashuri në familjet dhe shoqërinë tonë”, ka shkruar presidenti në profilin e tij në “Facebook”.

Sipas presidentit, kremtimi i Krishtlindjes gjithmonë bart me vete mesazhin e tolerancës, mbarësisë e humanizmit, vlera këto që, sipas tij, garantojnë një të ardhme më të begatshme për brezat e rinj.

“Urime Ipeshkvisë së Kosovës dhe gjithë besimtarëve të krishterë në Kosovë e kudo që janë”, ka shtuar Thaçi, i cili ka bërë thirrje që t’u gëzohemi të mirave dhe të festojmë me njëri-tjetrin.

Edhe kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, i ka uruar besimtarët e krishterë për ditën e Krishtlindjes, duke u lutur që në familjet e tyre dhe të gjithë qytetarët të ketë mirëqenie, dashuri e paqe.

“Kjo festë e solidaritetit, harmonisë dhe mirëkuptimit ndërmjet njerëzve, na bën bashkë dhe na jep forcën që të ndihmojmë ata në nevojë e të përkujdesemi për të gjithë”, ka shkruar Haradinaj në një letër drejtuar ipeshkvit dhe besimtarëve.

“Kjo është Dita kur kujtojmë gjeneratat që kanë sakrifikuar për të sotmen tonë, duke na bërë bashkë për ta ndërtuar të nesërmen më ndryshe”, ka theksuar Haradinaj në letrën e bërë publike në profilin e tij në “Facebook”.

Të gjithë besimtarët e krishterë shqiptarë i ka uruar edhe zëvendëskryeministri Fatmir Limaj.

“Harmonia ndërfetare e ka karakterizuar popullin shqiptar në vazhdimësi dhe shpresoj që këtë traditë ta kultivojmë edhe në vitet në vazhdim”, thuhet në urimin e Limajt.

http://kallxo.com/besimtaret-e-krishtere-festojne-sot-krishtlindjet/