Presidenti: Assange e përdorte ambasadën e Ekuadorit për spiunazh

Julian Assange e përdori ambasadën e Ekuadorit në Londër si një “qendër për spiunazh”, tha presidenti i Ekuadorit, Lenini Moreno.

Ai tha se deri të revokimi i azilit erdhi pasi Assange shkeli rregullat dhe jo për shkak se ndonjë vend tjetër ndikoi për të marrë këtë vendim.

“Ne nuk mund ta lejojmë shtëpinë tonë, shtëpinë që hapi dyert e saj, të bëhet një qendër për spiunazh” tha Moreno.

Duke folur për gazetën britanike Guardian, Presidenti Moreno tha se qeveria e vjetër e Ekuadorit siguroi lehtësira brenda ambasadës për “ndërhyrje” të shteteve tjera.

Presidenti gjithashtu foli për kushtet e këqija higjienike në të cilat jetonte Assange.

Avokatja e Assange, Jennifer Robinson, kundërshtoi pretendimet.

“Mendoj se gjëja e parë që duhet të them është se Ekuadori ka bërë disa akuza mjaft të egra gjatë ditëve të fundit për të justifikuar atë që ishte një veprim i paligjshëm dhe i jashtëzakonshëm kur lejoi policinë britanike të hyjë brenda në ambasade”, tha ajo.

Assange, 47 vjeç, mund të përballet me burgim deri në 12 muaj, pasi u shpall fajtor për shkeljen e lirimit me kusht kur ai hyri në ambasadën e Ekuadorit në vitin 2012.

Ai e bëri këtë veprim pas humbjes së luftës kundër ekstradimit në Suedi, ku ai u përball me akuzat për përdhunim.

Assange tani pritet të luftojë kundër ekstradimit në SHBA pasi autoritetet amerikane e akuzuan për komplot pasi ai së bashku me ish-analisten e zbulimit ushtarak, Chelsea Manning kanë hyrë në një kompjuter qeveritar të klasifikuar.

Kjo llogaritet të jetë rrjedhja më e madhe e dokumenteve të fshehta në historinë e SHBA-së.

Faqja Wikileaks ka publikuar mijëra dokumente të klasifikuara duke u nisur nga industria e filmit deri te siguria kombëtare dhe lufta.