Prezantimi i hulumtimit “Dera e punësimeve” nga “Preportr” dhe “Çohu” – Foto: KALLXO.com

‘Preportr’: Patronazh në të Gjitha Institucionet

Fenomeni i patronazhit, apo emërimi në bazë të lidhjeve politike, vazhdon të jetë shumë i pranishëm në postet e larta publike.

Në prezantimin e hulumtimit të Qendrës Kosovare për Gazetari Hulumtuese “Preportr” dhe “Çohu” u tha se partitë politike vazhdojnë t’i punësojnë anëtarët e tyre në postet e larta publike, në organe të pavarura dhe në ndërmarrje publike pavarësisht konkurseve.

Arton Demhasaj nga organizata “Çohu” gjatë prezantimit të hulumtimit të titulluar “Dera e punësimeve” tha se që nga ardhja në pushtet partitë politike e fillojnë punësimin e militantëve të tyre në institucione publike.

“Hulumtimi i Preportr tregon se patronazhi politik ka shtrirje të gjerë, ka depërtuar në të gjitha institucionet dhe ka prekur të gjitha pozitat e larta publike”, tha Demhasaj.

Ky i fundit shtoi se nga hulumtimet rreth patronazhit, nga vitet 2010-2014 dhe 2015-2016 ka rezultuar se rritja e e fuqisë zgjedhore të partive është e lidhur edhe me rritjen e patronazhit të partive.

“Me ardhjen e Partisë Demokratike të Kosovës në pushtet kemi pasur një fillim të punësimeve të njerëzve të kësaj partie në funksione të larta publike. Kjo gjë ka ndryshuar në 2015-tën me ardhjen e LDK-së bashkë me PDK-në në pushtet”, ilustroi Demhasaj.
Ai tha se fenomeni i patronazhit nuk ka ndryshuar por vetëm përkatësia partiake e njerëzve të punësuar në poste publike.

Në raportin e prezantuar tregohet numri i zyrtarëve të ndërmarrjeve publike nga partitë politike për dy periudhat.

Në periudhën 2010-2014 prin PDK me 42 zyrtarë, LDK është e dyta me 22, ndërsa është pasuar nga AAK me 11, AKR me 4, LDD me 2 ndërsa me 1 zyrtar kanë qenë PShDK, ORA dhe PD.

Ndërsa në periudhën 2015-2016 ka prirë LDK me 14 zyrtarë, PDK ka dalë e dyta me, Vetëvendosja me 4, SKS me 4 dhe AAK me AKR-në me nga një zyrtar.

Ndërkaq Besnik Boletini tregoi se këto pozita merren përmes konkurseve, megjithatë ndikimi i partive politike shpesh e ka përcaktuar rezultatin e këtyre të fundit.

Ai tha se në hulumtim janë krahasuar listat zgjedhore me listat e të punësuarve në institucionet e larta publike.

Ndryshe, kjo organizatë e ka publikuar listën ku shihen partitë, institucionet dhe pozitat e të gjithë personave që kanë arritur poste të larta publike.