Zef Prendrecaj - Foto: KALLXO.com

Prendrecaj: Po Hakmerren Ata që po i Hetojmë

Kreu i institucionit përgjegjës për mbikëqyrjen dhe hetimin e shkeljeve eventuale të gjyqtarëve dhe prokurorëve, Zef Prendrecaj, duke komentuar rreth lajmit se ndaj tij është ngritur një kallëzim penal, i cili është shoqëruar me aktvendim për fillim të hetimeve, në një intervistë ekskluzive për KALLXO.com tha se e tërë kjo që po ndodhë është hakmarrje ndaj tij.

“Kallëzimin penal e ka bërë Shyqyri Syla dhe kolegët e tij këtu që janë shokë të ngushtë, por sidoqoftë kjo është një lloj hakmarrje që po na bëhet për shkak se i kemi nën hetim. Ata prokurorë që po merren me rastin janë nën hetim te ne”, tha Prendrecaj.

Prendrecaj tha se edhe prokurori që ka ngritur kallëzimin penal por edhe ai që ka marrë aktvendimin për fillim të hetimeve ishin duke u hetuar nga zyra e tij.

“Edhe ai që e ka bërë kallëzimin edhe ai që e ka bërë aktvendimin janë subjekt i hetimit tek ne në procedurë disiplinore dhe këtu ka konflikt interesi sipas kodit të etikës dhe ligjit nuk lejohet të merren ata, por sidoqoftë të shohim se si do bëhet”, tha Prendrecaj.

Drejtori i Zyrës së Prokurorit Disiplinor tha se në këtë rast janë të përfshirë disa prokurorë.

“Unë nuk e di saktësisht se kush e ka marrë aktvendimin përpos se e di që të përfshirë janë Shyqyri Syla dhe Imer Beka dhe një prokuror tjetër, Feti Tunuzliu, e që të tre janë subjekt hetimi tek ne”, tha Prendrecaj.

Prokurori disiplinor më tej hodhi poshtë pretendimet që janë ngritur në aktvendimin për fillim të hetimeve ndaj tij.

Zef Prendrecaj tha se ndaj tij po hetohet edhe lidhur me ish-prokuroren Vahide Badivuku, e cila tani është e dënuar nga  Gjykata Themelore në Prishtinë.

“Ju jeni dëshmitarë se sa herë e kemi dërguar Badivukun në komision e ai thotë se ne i kemi mbyllë rastet e saj, e ky është një non-sens”, tha Prendrecaj.

Gjithashtu, Zef Prendrecaj tregoi se njëra nga pretendimet e prokurorisë ka të bëjë pikërisht me faktin se ai kishte dhënë një deklaratë për KALLXO.com

“Unë sot e kam kuptuar jozyrtarisht se është marrë aktvendim për zbatim të hetimit dhe njëra  prej pikave të hetimit është pikërisht se ju kam dhënë informacion juve si gazetarë dhe pikërisht kallxo.com, njëra prej veprave penale që supozon prokurori që ka marrë aktvendimin është se unë ju kam dhënë informacion juve”, tha Prendrecaj.

Ai tha se është shumë i shqetësuar me faktin se si mund të ngritet kallëzim penal e aktvendim ndaj dikujt pa asnjë bazë.

“Unë po çuditem se kur po na bëjnë neve si zyrtarë kështu pa asnjë bazë për punën tonë dhe pse ju kam dhënë juve informacion se kam tregu të vërtetën, po qytetarëve të thjeshtë çka ju bëjnë këta prokurorë?”, u shpreh Prendrecaj.

Zef Përndrecaj mendon se qëllimi i tërë kësaj është dëmtimi i imazhit të Zyrës së Prokurorit Disiplinor.

“Kjo që po bëhet po dëmtohet Zyra. Nga katër vetë që jemi tre i ka futur në aktvendim dhe kjo është që të dëmtohet imazhi i Zyrës. Unë duke e parë atë aktvendim ndaj meje, unë si person zyrtar po frikohem me bisedu me ty”, tha Prendrecaj gjatë bisedës me gazetarin e KALLXO.com.

Përmes telefonit KALLXO.com ka provuar të kontaktojë me Imer Bekën por kontakti ka qenë i pamundur, ndërsa Shyqyri Syla përmes telefonit ka thënë se nuk ka kohë të deklarohet.

Ndërsa prokurori Feti Tunuzliu po ashtu nuk ka dashur të deklarohet përmes telefonit.

http://kallxo.com/kryeprokurori-syla-pafajshem-per-zarfin-e-gecit/