Premtimet e Parealizuara në Junik ‘Lidhen’ me Isa Mustafën

Kryeministri Isa Mustafa ka parë e dëgjuar mjaft prej akuzave ndaj tij nga partitë opozitare qëkur ka marrë përsipër drejtimin e qeverisë në fillim të vitit të kaluar.

Është akuzuar për “tradhti” ndaj bllokut opozitar që i bëri karshillëk PDK-së për gjashtë muaj duke e penguar atë që ta bëjë qeverinë pas zgjedhjeve të qershorit të vitit 2014.

Është akuzuar se po e mbron një ministër të komunitetit serb pas një deklarate nxitëse. Është akuzuar se nuk po bën gjë për ta përmbushur një premtim parazgjedhor për t’u gjetur punë 120 mijë personave në vend, se u ka dhënë tender bijve të tij për riparimin e një veture zyrtare të Kryeministrisë dhe krejt në fund për nënshkrimin e marrëveshjes për themelimin e Asociacionit të Komunave Serbe.

Agron Kuçi, që drejton komunën e vogël dhe të re të Junikut, dëshiron që listës së akuzave ndaj kryeministrit t’ia shtojë edhe një- atë të diskriminimit me anë të buxhetit të komunës së e drejton.

Kuçi që vjen nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), parti opozitare në qeverinë qendrore, ka fituar zgjedhjet për kryetar komune të vitit 2013. Tani ai është mandatin e dytë si kryetar komune.

Asambleja komunale e Junikut i ka 15 këshilltarë nga të cilat AAK i ka 6 përfaqësues, LDK 5, ndërsa PDK e Vetëvendosje nga 2 këshilltarë.

Emri i kryeministrit Mustafa përmendet lehtësisht si shfajësim kur Kuçi pyetet se si qëndron puna me premtimet parazgjedhore që i kishte bërë dy vjet më parë.

“Unë kam përfunduar disa premtime që i kamë dhënë, siç është Fabrika e Frutave mirëpo mos realizimi i këtyre premtimeve ka ardhur edhe si rezultat i ndërrimit të Qeveris, ku më ardhjen ne krye të ekzekutivit të Isa Mustafës, komuna e Junikut është diskriminuar sa i përket ndarjes së buxhetit” tha Agron Kuçi në debatin e moderuar nga Jeta Xharra para asamblistëve të komunës që drejton.

Por nëse nuk ishte i pranishëm vetë për t’u përgjigjur në këto akuza, kryeministri e kishte një njeri të partisë së tij në këtë debat, i cili nuk e la reagimin për më vonë.

“Kryetar, nuk është fajtore Qeveria, ashtu siç e cekni ju sepse nuk ju ka faj askush që ju keni dështuar në realizimin e projekteve”, tha Xhavit Velija, asamblist i LDK-së në komunën e Junikut.

Dy vjet më parë në debatin parazgjedhor të moderuar nga Jeta Xharra, ai kishte dhënë shumë premtime, në dukje të pamundura për t’u realizuar në një komunë të vogël dhe me buxhet të varfër.

Ai kishte premtuar ndërtimin e “tregut të gjelbër”, i cili deri sot nuk ka filluar të bëhet si dhe përfundimin e rrugës Junik – Gjocaj – Jasiq e cila ka nisur por ka mbetur e papërfunduar.

Partitë opozitare në këtë komunë, LDK, PDK dhe Vetëvendosje po e kritikojnë kryetarin Kuçi që gjatë këtyre dy viteve të këtij mandat nuk ka bërë asgjë për Junikun.

“Tregu do të ndërtohet shumë shpejt pasi që kemi aplikuar në Komisionin Evropian dhe besoj se do ta ndërtojmë këtë treg aty ku është tani”, tha Kuçi.

Por një këshilltar nga PDK e sfidoi optimizmin e kryetarit.

“Unë se di se si do të ndërtosh këtë treg, pasi që nëse ndërtohet tregu aty do të prishet plani urban, pasi që edhe ashtu nuk kemi revidim të planit urban”, tha Nevruz Krasniqi nga PDK

Kryetari Kuçi kishte premtuar Fabrikën për Përpunimin e Frutave përmes Partneritetit Publiko- Privat.

Fabrika është ndërtuar mirëpo opozita po e akuzon kryetarin se punësimet në të janë bërë me nepotizëm.

Një tjetër gjë ëshët se ai kishte premtuar punësimin e 55 vetave në këtë fabrikë. Ndërsa aktualisht aty punojnë shtatë punëtorë, dy prej të cilëve opozitarët thonë se janë të afërm me drejtorin e Drejtorisë Komunale për Zhvillim Ekonomik, Leonard Llolluni.

“Është biznes dhe komuna asnjëherë nuk ka hapur konkurs për punësim për këtë. Komuna nuk merr pjesë në menaxhimin e kësaj ndërmarrje”, tha Llolluni.

Por ai i shmanget pyetjes nëse fabrika është ndërtuar përmes Partneritetit Publiko- Privat.

“Fabrika nuk ka pronar. Është në fazën implementuese dhe në qershor përfundon faza implementuese”, tha ai.

Dy vjet më parë, Kuçi kishte premtuar edhe ndërtimin e një çerdheje gjë të cilën nuk e ka bërë.

Edhe për këtë ai thotë se “do të ndërtohet shpejt”.

Opozita e konsideroi si “alarmante” edhe prerjen ilegale të pyjeve, por kryetari i komunës nuk u pajtua me këtë cilësim.

Opozita e sfidoi kryetarin e komunës edhe për mospërmbushjen e premtimit për ndërtimin e trotuarit nga qendra e Junikut deri në lagjen “Agim Ramadani”.

Kuçi tha se nuk ka pasur buxhet për ta realizuar këtë premtim ndërsa fajtorin sërish e gjen te qeveria qendrore.

“Do ta realizoj këtë rrugë nëse nuk do të këtë qeveri Mustafa”, thotë ai.

Zenel Maloku nga Vetëvendosje e kritikoi Kuçin se nuk ka bërë asgjë në këtë rrugë, edhe pse në asamblenë komunale janë ndarë 50.000 euro për të ndërkohë që aty “nuk është hedhur asnjë kaci zalli”.

“Këto para të cilat i kemi nda për këtë rrugë na është dashtë ta shlyejmë një obligim që e kemi pas ndaj një operatori”, tha Agron Kuçi.

Në këtë debat doli që shumë asamblistë nuk e paguajnë tatimin në pronë.

Shpejtim Gacaferri, asamblist i LDK-së kishte të papaguar tatimin në pronë në vlerë mbi 1.000 euro, ndërsa ka një shtëpi të ndërtuar në pronë komunale.

Edhe Nevruz Krasniqi nga PDK po ashtu doli se e ka ndërtuar një pjesë të shtëpisë në pronë komunale, ndërsa Zenel Maloku i Vetëvendosjes pranoi se i ka komunës borxh në tatime të papaguara dhe tha se nuk do ta paguajë atë.

Edhe drejtori i Drejtorisë Komunale të Arsimit, Fatos Shala, doli se i ka borxh komunës 670 euro.