Premtimet e Kandidatëve për Stacionin e Autobusëve

Bedri Nika nga LDK-ja tha se do të bëhet një zgjidhje së shpejti nëse i fiton zgjedhjet.

“Zgjidhja në fakt do të mundohemi në këtë kohë të shkurtë të gjejmë zgjidhje që t’i bëjmë kanalet e mundshme që uji kur ka vërshime në qendrën tregtare të mos jetë ky ujë në këtë gjendje të tillë”, tha Nika.

Isa Xhemajlaj nga NISMA tha se do të ketë punëtorë pa shpenzime të shumta për mbikëqyrjen e këtij stacioni.

“Do të ketë një punëtor që do ta mbikëqyr këtë pishinë’ në stacion të autobusëve por pa shumë shpenzime, por më shumë do të fokusohemi në lumin Drenica”, tha Xhemajlaj.

Vehbi Berisha nga partia FJALA tha se ky nuk është rasti i vetëm.

“Kjo nuk është rasti i vetëm pasi që kemi edhe raste të tjera. Ky projekt ka qenë i dështuar sepse është ndërtuar në pozitë të ulët”, tha Berisha.

E Xhavit Drenori si kandidat i pavarur tha se do të bisedojë me qytetarë e biznese për të ndërmarrë diçka lidhur me stacionin e autobusëve.

“Definitivisht mendoj se ky është avantazh për mua, që me sjell persona përgjegjës dhe profesional për me kry punën e tyre. Mund të ju them se rreth kësaj qendre qytetarët e Drenasit duhet me ditë, që janë mashtruar nga Komuna e Drenasit nga menaxhimi i keq i cili ka ndiku që krejt uji me ik e me u sjell te kjo qendër tregtare. Do të bisedojmë me gjithë banorët dhe bizneset që të ndërmarrim diçka lidhur me këtë çështje”, tha Drenori.

Këto deklarata ata i dhanë në debatin për Drenasin të moderuar nga Jeta Xharra me kandidatët për kryetar të komunës.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të komunës së Drenasit mbahen më 4 dhjetor.

Në këto zgjedhje kandidojnë: Ramiz Lladrovci (PDK), Bedri Nika (LDK), Isa Xhemajlaj (NISMA),

Elmi Thaçi (AKR), Vehbi Berisha (Fjala) dhe Xhavit Drenori (kandidat i pavarur).

Në këtë debat munguan dy kandidatë ai i PDK-së Ramiz Lladrovci dhe ai i AKR-së, Elmi Thaçi.