Shfaqja "Recomposed" | Foto: Kallxo.com

Premiera që Lidh Baletin e Kosovës me Francën

Premiera e shfaqjes “Recomposed” që është e fundit e Baletit të Kosovës për këtë vit, u dha në Teatrin Kombëtar të Kosovës, ndërsa koreografia e saj është bërë nga francezët Christophe Beranger dhe Jonathan Pranlas-Descours.

Shfaqja “Recomposed” lidhet me rolin e individit brenda grupit dhe tregon përvojën e kuptimit të botës nëpërmjet altruizmit-dhënies së ndihmës për të tjerët

Drejtori i Baletit Kombëtar, Ahmet Brahimaj tha se publiku tashmë di të vlerësojë dhe kjo ka bërë që ata të punojnë deri në 12 orë në ditë.

“Kemi punu në mënyrë sistematike, normal se e kemi obligim të jemi sa më të mirë, arsyeja se tash na e kemi një publik që din me vlerësu. Obligimi ndaj publikut i ka shty këta të rinj që të punojë me nga 10-12 orë punë fizike të baletit në ditë, për të ardhur deri te ky rezultat,” tha drejtori Brahimaj.

Drejtori gjithashtu bëri të ditur se “Recomposed” do të jetë pjesë e një turneu që do të shfaqet edhe në vendet e Ballkanit, por dhe në disa qytete të Francës.

“Na kemi projekt me Ambasadën Franceze edhe me këta dy koreografë që janë nga Franca në projekt, besoj që do ta realizojmë një turne në shtetet ballkanike, po me siguri edhe në Francë do të shkojmë në disa qytete,” tha Brahimaj.

Ndërsa njëra nga balerinat tha se shfaqja nuk tregonte ngjarje që ka përfundim.

“Gjatë shfaqjes u luajtën katër stinët e Vivaldit dhe të gjithë ishim më shumë në grupe me njëri-tjetrin sesa kishin ndonjë pjesë solo, apo ndonjë personazh, sepse shfaqja nuk tregonte një ngjarje që ka një përfundim, por shfaqja e ka paraqitur hapësirën e skenës në të cilën janë shpalosur 24 kukulla, domethënë si grup,” tha Lorena Zogaj.

Baleti Kombëtar i Kosovës edhe më herët bashkëpunoi me koreografë të huaj.

“Shpirtrat” e Baletit të Kosovës ju Ftojnë në Kopshtin e Tyre (TV)

Ngjyrat e Vallëzimit të Dashurisë me Fund të Lumtur

Redaktoi: Bekim Muhaxheri