Visar Prebreza - Foto: KALLXO.com

Prebreza: Jemi të rrezikuar nga këta ministra që nuk dinë çka po nënshkruajnë

Emisioni i fundit ‘Drejtësia në Kosovë’ transmetoi hulumtimin i cili solli detajet se si në mënyrë të fshehtë dhe pa zhurmë katër hidrocentrale të KEK-ut ishin shitur së bashku me KEDS-in.

Hidrocentrali i Dikancës, hidrocentrali i Burimit, ai i Radavcit dhe Lumbardhit, janë dhënë me koncesion nga KEK-u me qëllim të rivitalizimit të tyre dhe rritjes së kapaciteteve prodhuese.

Në kohën kur janë dhënë me qira, sipas KEK-ut, ato kanë pasur një kapacitet të instaluar prej 11 megavatëve, mirëpo koncesionarët janë zotuar se pas investimeve që do të bëjnë kapaciteti i tyre do të rritej në 14 megavatë.

Visar Prebreza, gazetar hulumtues me përvojë shumëvjeçare, ishte i pari që kishte zbuluar se në dosjen me mijëra faqe ishin përvjedhur katër hidrocentrale.

Në proces mjaft të dyshimtë, prona kishte kaluar nga KEK-u në pronësi të kompanisë turke, KEDS.

“Është e palogjikshme një ministër mos m’e ditë çka po shet. Është shqetësuese, e rrezikshme kur ministrat neve na deklarojnë se nuk kemi ditur çka kemi shitur. Atëherë ata nuk e dinë as çka po nënshkruajnë kontrata nuk e kanë ditur as qysh kanë dashur me shitë Postën në atë kohë. Nuk kanë m’e ditë as qysh kanë m’e shitë Trepçën. Pra, jemi të rrezikuar prej këtyre ministrave të cilët nuk dinë çka po shesin dhe çka po nënshkruajnë”, tha Prebreza për emisionin “Drejtësia në Kosovë”.

Emisionin, të plotë, mund ta ndiqni në linkun e mësipërm.