Pranon fajin për 263 euro të Ujësjellësit, thotë se i 'vodhi për sëmundje'

Avni Ahmeti i akuzuar nga Prokuroria e Mitrovicës për përvetësim gjatë ushtrimit të detyrës, sot, në seancës fillestare në Gjykatën e Mitrovicës e ka pranuar fajësinë për veprën që i ngarkohet.

Sipas aktakuzës Ahmeti në muajin mars të vitit 2018 si person zyrtar – inkasant në kompaninë e ujësjellësit “Mitrovica” ka përvetësuar shumën e para prej 263.40 euro.

Prokuroria përmes aktakuzës pretendonte se i njëjti këtë e ka bërë me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore, duke keqpërdorur kështu paratë që i janë besuar për shkak të detyrës.

Gjithnjë sipas aktakuzës, kur qytetarët e ndryshëm të cilët përmenden në akuzë kishin shkuar të bënin pagesën, i pandehuri Avni Ahmeti një pjesë të shumës së paguar, e cila ka qenë e ndryshme për secilin qytetarë e ka përvetësuar për vete.

Ai këtë e ka bërë duke mos e deklaruar në tërësi shumën e paguar nga qytetarët.

Me këtë akuzohet se ka kryer veprën penale “Përvetësimi në detyrë”.

Kurse sot (E martë, 15.01.2019) në Gjykatën Themelore të Mitrovicës është mbajtur seanca e shqyrtimit fillestar në këtë rast.

Pas leximit të akuzës nga ana e prokurorit Ismet Ujkani, i pandehuri ka deklaruar se e pranon fajësinë për veprën e cila i vihet në barrë sipas aktakuzës.

Ai para gjykatësit të rastit Radoslav Markoviq ka shprehur keqardhje për veprimin e tij dhe ka premtuar se më nuk do ta përsëris një veprim të tillë.

Po ashtu i pandehuri ka shpjeguar edhe arsyet personale të cila sipas tij e kishin shtyrë që të bënte veprime të tilla.

I akuzuari ka thënë se një gjë të tillë e ka bërë pasi që prej vitit 2013, deri në mesin e vitit 2016, e ka pasur vëllain të sëmurë dhe se ka qenë mbajtës i vetëm i familjes.

Ahmeti ka deklaruar se nuk është dashur të kryej një vepër të tillë, duke shtuar se nuk ka mundur të përballojë situatën në të cilën gjendej vëllai i tij.

Tutje ai ka thënë se ka pasur për qëllim t’i kthej paratë në mundësinë e parë që do t’i jepej.

“Jo që është dashtë me bo këtë vepër, po arsyeja e parë nuk kam qenë në atë situatë kurrë edhe nuk kam mujt mi përballu atë sëmundje të rëndë, dhe e kam bërë këtë vepër që prapë e ceku se çfarëdo që të kishte ndodh nuk është dashtë me vepru në këtë mënyrë. Për herë të parë më ka ndodh në familje ajo dhe nuk e kam bo për me i marr ato pare dhe për mos mi kthye kurrë, por që në mundësinë e parë t’i kthej ato”, ka thënë i akuzuari.

Kurse në fund ka shpjeguar se të gjitha paratë e përvetësuara i kishte kthyer te kompania e ujësjellësit.

Edhe prokurori Ismet Ujkani i ka propozuar gjykatës që të aprovoj pranimin e fajësisë nga i pandehuri.

“Ndërsa sa i përket parave që ka përvetësuar edhe pse sipas deklaratës së përfaqësuesit të së dëmtuarës i pandehuri është zotuar se do t`i kthej paratë e përvetësuara, mirëpo nuk ka dëshmi se i ka kthyer ato para. Andaj edhe gjykatës i propozoj që të pandehurin ta obligoj që t`i kthej paratë e përvetësuara”, ka shtuar prokurori Ujkani.

Më pas gjykata e ka aprovuar pranimin e fajësisë nga i pandehuri, mirëpo seanca është shtyer për datën 5 shkurt.

Sipas gjykatësit Markoviq, në seancë do të ftohet përfaqësuesi i kompanisë së ujësjellësit me qëllim të vërtetimit nëse paratë janë kthyer apo jo nga i pandehuri.