Pranon Fajësinë për Posedim të Marijuanës

Ilaz Jaha, i akuzuar nga prokuroria për posedim të 22.86 gramë të marijuanës pranoi fajësinë, pasi aktakuza ndaj tij u ndryshua.

Para se Jaha ta konsideronte veten fajtor, prokurori Hivzi Bajraktari ndryshoi aktakuzën ndaj të pandehurit, duke e ngarkuar vetëm për posedim marijuanë e jo edhe për shitblerje të saj.

“Tani në këtë seancë gjyqësore bëj ricilësimin e veprës penale nga vepra penale blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve në veprën penale ku është vërtetuar se i pandehuri ka kryer posedimin e paautorizuar të narkotikëve,” tha Bajraktari.

Pastaj gjyqtari Beqir Kalludra e pyeti të akuzuarin Jaha se a e pranonte fajësinë.

“Po e pranoj fajësinë”, u përgjigj i akuzuari.

Pasi Ilaz Jaha u deklarua fajtor për posedim marijuane, gjyqtari Beqir Kalludra mbylli seancën gjyqësore.

“Kryetari i trupit gjykues e shpall të përfunduar procedurën penale në këtë çështje dhe shpallja e aktgjykimit do të bëhet nesër në orën 9:00,” njoftoi Kalludra.

Edhe në prill të këtij viti KALLXO.com shkroi për një gjykim tjetër ku dy persona u dënuan për vepra penale në lidhje me narkotikët.

http://kallxo.com/28-muaj-burg-per-shitblerje-narkotikesh/