Pranoi fajin për tentim vrasjen për të cilën nuk akuzohej

Në Gjykatën Themelore në Pejë u mbajt shqyrtimi fillestar ndaj të akuzuarve Metë Dervishaj dhe Shkëlqim Dervishaj për tentim vrasjen e vitit 2015 në Isniq të Deçanit.

Shkëlqim Dervishaj deklaroi para gjykatës se e pranon fajësinë për tentim vrasje dhe armëmbajtje pa leje, vepra këto që i ngarkohen vëllait të tij, Metë Dervishaj.

Shkëlqim Dervishaj akuzohej vetëm për armëmbajtje pa leje.

“Deklarojë se unë jam kryes i të dyja veprave penale”, tha i akuzuari.

Ndërsa, i akuzuari për vrasje në tentative dhe armëmbajtje pa leje Metë Dervishaj u deklarua i pafajshëm për veprat penale me të cilat ngarkohet.

Sipas aktakuzës Metë Dervishaj me datë 02.8.2015, në fshatin Isniq të Deçanit, ka tentuar të privojë nga jeta Jeton Zukajn, dhe me dashje ka vu në rrezik jetën e personave të tjerë, Imer dhe Elez Zukajt.

Aktakuza përshkruan se pas një mosmarrëveshje të një viti më herët në Francë në mes të akuzuarit dhe viktimës Jeton Zukaj, derisa i dëmtuari ishte duke qëndruar në një tavolinë para lokalit të Imer Zukajt, i pandehuri Metë Dervishaj pasi ju afrohet me makinë të tipit “Audi A6”, dhe me të arritur përballë tyre shtien tre herë në drejtim të të dëmtuarit Jeton dhe largohet me shpejtësi.

Gjithnjë sipas aktakuzës nga të shtënat me armë mbeten të plagosur Jeton Zukaj në këmbën e djathtë dhe i dëmtuari Imer Zukaj në pjesën e pasme të kokës.

Po ashtu Metë Dervishaj akuzohet edhe për veprën penale të Armë mbajtjes pa leje.

Ndërsa i pandehuri Shkëlqim Dervishaj akuzohet për veprën penale të armëmbajtjes pa leje, pasi që pa autorizim ka mbajtur në kontrollë armën të cilën e kishte përdorur i pandehuri Metë Dervishaj, e me të cilën kishte shtënë në të dëmtuarin.