Mbledhja e Komisionit për Punë të Jashtme |Foto: KALLXO.com

Pozitë-Opozitë: Pajtim për Mospajtimin

Deputetët në Komisionin për Punë të Jashtme pa anëtarë të tij nga Lista Serbe diskutuan për një orë e gjysmë rreth deklaratës së dalë nga takimi i tyre me Kadri Veselin më 19 tetor, në të cilin nuk pati marrë pjesë anëtarja e “Vetëvendosjes” Puhie Demaku.

Dy ditë më parë anëtarët e komisionit bashkë me kryeparlamentarin Veseli u pajtuan që grupet parlamentare të nxjerrin një deklaratë të përbashkët për t’i garantuar të gjitha vendet e BE-së se Kosova është e gatshme të përfundojë shënjimin e kufirit të saj me Malin e Zi, mirëpo duke bërë të ditur se ka dallime midis forcave politike rreth mënyrës së shënjimit aktual të kufirit.

Por në takimin e sotëm të Komisionit për Punë të Jashtme dy partitë opozitare AAK-ja e Nisma i paraqitën draft-deklaratat e tyre dhe “Vetëvendosja gjithashtu i paraqiti qëndrimet e saj në lidhje me deklaratën e përbashkët të dalë nga takimi me Veselin.

Zafir Berisha nga Nisma në fjalën e tij tha se deklarata nuk duhet të jetë e grupeve parlamentare, por e komisionit të jashtëm.

Ai kërkoi që paragrafi i fundit i deklaratës së dakorduar me Veselin ku flitet për plotësimin e kritereve për liberalizim të hiqet, pasi sipas tij kriteret nuk janë plotësuar.

“Kjo duhet të trajtohet si deklaratë e Komisionit për Punë të Jashtme. Ne megjithatë do të japim kontributin tonë. Ni ndryshim në deklaratë: duhet thënë se paragrafi i fundit s’ka nevojë me ekzistu se po t’i kishim përmbushur krejt kriteret s’kishim pasë nevojë me shkru këtë letër,” tha Berisha.

Ai propozoi edhe plotësim të deklaratës me fjalët: “opozita deklarohet do të japë kontributin e vet mbi faktet që kemi, përmes rrugës demokratike ku nuk do të dëmtohet integriteti territorial i asnjë shteti”.

Edhe Pal Lekaj nga AAK-ja kërkoi që pasuesi i fundit i deklaratës të hiqet, ndërsa kërkoi që fjala përmbyllje e procesit të demarkacionit të zëvendësohet me fjalën zgjidhje.

Aida Dërguti nga “Vetëvendosja” e atakoi togfjalëshin e deklaratës “pavarësisht dallimeve”, duke thënë se pikërisht dallimet e karakterizojnë dhe e mbajnë një Kuvend.

Dërguti kërkoi që procesi i përcaktimit të vijës kufitare me Malin e Zi të nisë nga fillimi.

“Qeveria nuk duhet t’i frikësohet kthimit në pikën zero se nëse është ashtu siç ata po thonë, prapë kanë me ardhë në këtë version,” tha Dërguti.

Ndërsa Ismet Beqiri nga LDK-ja tha se deklarata e dalë nga takimi me Veselin ka formulime që nuk e lëndojnë askënd.

Elmi Reçica, kryetar i Komisionit për Punë të Jashtme dhe deputet i PDK-së tha se BE-ja dëshiron që “ne pozitë e opozitë të jemi të bashkuar, për liberalizim e demarkacion”.

Pastaj Aida Dërguti tha se nëse keni vendosur të mos ndryshoni deklaratën, pse duhet VV-ja të jetë pjesë e saj, ndërsa Pal Lekaj i AAK-së deklaroi se nëse nuk merren parasysh propozimet e subjektit të tij, nuk ka pse diskutohet.

“Aida, duhet edhe për melaqe pak me menu e jo veç për djall,” tha pastaj Ismet Beqiri duke polemizuar me nënkryetaren e Kuvendit dhe deputeten e “Vetëvendosjes”.

Situatën e shtensionoi Blerta Deliu-Kodra, duke thënë se e mira e tri draft-deklaratave të paraqitura është se ato parashikojnë zgjidhjen e problemit të demarkacionit me mjete ligjore.

Deliu propozoi që deklarata me vërejtjet e opozitës t’i shkojë Kryesisë së Kuvendit për diskutim.

“Masi s’ka konsensus ndoshta është mirë me çu draftin me vërejtjet e opozitës që ato me u diskutu mrena kryesisë,” tha Deliu-Kodra.

Pastaj anëtarët e komisionit u pajtuan që tri draft-deklaratat dhe propozimet e “Vetëvendosjes” t’i dërgohen Kryesisë së Kuvendit.

Për deklaratën e  dalë nga takimi me Veselin, KALLXO.com shkroi dy ditë më parë.

http://kallxo.com/liberalizimi-afron-poziten-dhe-opoziten/