Kuvendi i Kosovës, FOTO: KALLXO.com

Pozitë-opozitë me akuza për ndarjen e parave rezervë për filma

Deputetja nga radhët e AAK-së, Donika Kadaj-Bujupi, ka kërkuar llogari nga LDK-ja që, sipas saj sa ka qenë në Qeveri i ka ndarë Qendrës Kinematografike të Kosovës 250 mijë euro nga buxheti rezervë për realizimin e një projekti filmik.

Kadaj-Bujupi kërkoi të dijë se ku kanë shkuar mjetet, pasi sipas saj  projekti nuk është realizuar.

“Është vendimi i datës 23.03.2016 nënshkruar nga kryeministri Isa Mustafa, i cili thotë se ndahen mjete financiare në vlerë 250 mijë euro për projekte filmike nga Qendra Kinematografike e Kosovës. Mjetet ndahen nga shpenzimet e paparashikuara, thuhet në vendim. Përkundër faktit që mjetet janë ndarë, projekti s’është realizuar kurrë. A bën me na tregu çka ka ndodhë”, ka thënë deputetja.

Kurse, kryetari i Grupit Parlamentar të LDK-së Avdullah Hoti, tha se ai ka qenë vendim i  Qeverisë për ndarjen e mjeteve për QKK-në.

“Por qeveria Mustafa nuk është bërë regjisore  filmash siç është bërë qeveria Haradinaj. Qendra thotë jo me financu, kurse këta bëhen më regjisorë sesa qendra që sipas ligjit është  thirrur si i vetmi institucion publik për të ndarë mjete për filma”, tha ai.

Ndërsa, në kundër replikë, deputetja Kadaj-Bujupi kërkoi të dijë se ku kanë mbetur mjetet e ndara.

Por, Hoti nuk iu përgjigj asaj dhe ia përmendi hedhjen e gazit lotsjellës sa deputetja ka qenë në Lëvizjen Vetëvendosje.

“Unë e qartësova besoj, ne nuk jemi bërë regjisor cilin film me financu. Kemi ndarë mjete për QKK-në. Deputetja ka mujt sa ka qenë në opozitë me thirr interpelancë por ka qenë e zënë duke gjuajtur gaz këtu në seancë”, tha Hoti.