Pozitat me ushtrues detyre në MTI, ministri merret në pyetje në Komisionin Parlamentar

Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike ka bërë Shqyrtimin e raportit të Auditimit për pasqyrat financiare vjetore të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë për vitin e përfunduar më 31 dhjetor 2017.

Avdullah Hoti ka përmendur disa nga të gjeturat e Auditorit. Ai tha se sipas Auditorit buxheti nuk është shpenzuar në nivelin e pritur me vetëm 33 për qind.

“Problem në vete në këtë ministri janë planifikimi dhe menaxhimi i të hyrave.

Janë bartur detyra me ushtrues detyre më shumë se tre muaj. Ka avans që nuk është mbyllur për shumë kohë të gjatë për njërin nga zyrtarët e ministrisë”, tha Hoti.

Sipas Hotit Auditori ka gjetur se ka dobësi në prokurim sepse ka kontrata me vlerë minimale dhe në disa raste kontratat përsëriten për blerje të njëjta si dhe sipas tij ka vonesa në zbatimin e rekomandimeve të viteve paraprake.

Endrit Shala, ministër i Tregtisë dhe Industrisë tha se i kanë adresuar disa nga rekomandimet e Auditorit të Përgjithshëm.

Sipas tij sa i përket pozitave me ushtrues detyre janë plotësuar disa pozita dhe disa të tjera janë në gjykata.

“MTI është kujdes që caktimi i ushtruesve të detyrës të bëhet konform ligjit për shërbyesit civil”, tha ai duke shtuar se janë plotësuar disa pozita.

Sa i përket çështjes së avanseve të pambyllura Shala tha se auditori ka kërkuar që ministri të siguroj menaxhim më të mirë dhe kontrollim të avanseve.

Shala tha se MTI e ka kryer punën e vet pasi që lënda është në gjykatë.

“Lënda është dërgu në gjykatë dhe MTI e ka kry punën e vet”, tha ai.

Andin Hoti, ka përmendur një rekomandim të vitit 2016 ku thotë se nga 24 konkurse, 14 prej tyre janë anulu.

“A keni bërë plan të veprimit gjatë këtij viti dhe vitit të ardhshëm rekomandimet të zbatohen”, tha ai.

Shala tha se do të sigurohet që secili rekomandim i Auditorit të Përgjithshëm të implementohet në përpikëri siç e obligon ligji.

“Do të sigurohem që secili konkurs punësim të bëhet në respektim të plotë të ligjit. Anulimet e konkurseve nuk vijnë vetëm nga ministria por edhe nga instancat e tjera nga palët ankuese”, tha Shala.

Driton Selmanaj, kryetar i Komisionit ka theksuar edhe një herë çështjen e pozitave me ushtrues detyre.

Selmanaj tha se janë mbi 11 pozita sidomos të drejtorëve dhe udhëheqësve të sektorëve që kanë kryer funksionin me 12 ose 18 muaj si ushtrues detyre.

“Me ligj më shumë se 3 muaj nuk ka të drejtë. Është veprim i kundërligjshëm”, tha Selmanaj.

Shala përsëriti se ushtrues detyre në pozita të larta kanë mbetur veç dy.

“Njëra është në procedurë gjyqësore. Nuk lejohemi me bo lëvizje”, tha ai.