Pamje nga takimi i Komisionit për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale - Foto: KALLXO.com

Posta më e Mirë se Bankat për Shpërndarjen e ‘Socialit’

Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Fikrim Damka, ka paraqitur para Komisionit për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale propozimin për shpërndarjen e skemës sociale në një mënyrë më të organizuar dhe duke respektuar edhe të drejtat e qytetarëve për të marrë pagesën kur ata të dëshirojnë.

“Bankat komerciale po ofrojnë një euro e gjysmë të cilën Ministria e Mirëqenies Sociale e paguan për çdo skemë sociale. Posta e Kosovës e ka ofruar çmimin një euro e dhjetë centë. Kjo i bie  që Ministria çdo vit do të kursente 63 mijë euro“, tha Damka.

Më tej, ai përmendi përparësitë kryesore të Postës në raport me bankat.

Sipas Damkas, Posta ka rrjetin e shpërndarë në  gjithë Kosovën dhe punon shtatë ditë në javë, prej orës 08:00 të mëngjesit deri në orën 21:00.

“Prandaj, kjo do të ishte lehtësi për çdokënd që merr skemë sociale”, tha ai.

Fikrim Damka tha se në vendet e rajonit pensionet shpërndahen në filiale të postave dhe theksoi se një gjë e tillë duhet të ndodhë edhe në Kosovë.

Për këtë arsye, ai propozoi që të bëhet një debat me ministrin e Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe me ministrin e Financave dhe se në një debat të tillë do të duhej të ftohej edhe Posta e Kosovës, “në mënyrë që të dëgjohen të gjitha palët”.

Të gjithë anëtarët e Komisionit u pajtuan parimisht me këtë propozim.

Kryetarja e Komisionit, Flora Brovina, tha se është jodinjitoze për të gjithë e jo vetëm për ata që presin para bankave për të marrë paratë.

Besa Baftiu nga Lëvizja Vetëvendosje tha se është shqetësuese të shihen qytetarët duke pritur ashtu.

“Kjo është e mirëseardhur për qytetarët. Atëherë na mbetet neve që ta përkrahim dhe ta iniciojmë, t’i thërrasim ministrat dhe kjo të zgjidhet në të mirë të qytetarëve”, tha ajo.