Porosia e Kryeprokurorit për Veteranët dhe Ramush Haradinajn
“Prokurori i Shtetit është institucion i pavarur i cili funksionin e vet e kryen ne mënyre te paanshme, pa ndërhyrje nga cilido person fizik apo juridik”, ka thënë Lumezi.
Duke komentuar afatin e përmendur nga kryeministri për përfundimin e hetimeve kryeprokurori Lumezi ka porositur se askush nuk mund t’i ndërrojë afatet ligjore.
“Sa i përket afatit të hetimeve është e përcaktuar me dispozitat e KPP dhe askush nuk mund t’i ndryshojë afatet ligjore”, ka thënë Lumezi.
Ai tutje ka komentuar edhe qëllimin e deklaratës së Prokurorisë.
“Si duket qëllimi ka qenë i mirë, për të dhënë mesazh se hetimet në ketë rast duhet të jenë efikase dhe efektive”, ka thënë Kryeprokurori i Shtetit.
Veteranët e UÇK-së pas protestës së sotme deklaruan se kryeministri Haradinaj u kishte thënë se Prokuroria ka afat një muaj për të hetuar listat e veteranëve.
KALLXO.com ka tentuar gjatë ditës të marrë një qëndrim nga kabineti i Haradinajt nëse kjo deklaratë u është thënë në këtë formë veteranëve por kontakti me kabinetin ka qenë i pamundur.