Ministri Lluka - Vizita ne Varshave

Polonia mbështet zhvillimin ekonomik të Kosovës

Ministri i Zhvillimit Ekonomik Valdrin Lluka i ftuar nga ministrja e Sipërmarrjes dhe Teknologjisë, Jadviga Emilewitz po qëndron në Varshavë të Polonisë.

Në komunikatë thuhet se Lluka i bëri thirrje biznesit polak që të kthejnë sytë nga Kosova.

“Polonia, ndërmarrësia polake është e interesuar për Ballkanin dhe në veçanti për Kosovën. Ne marrim kryesimin e radhës së Bashkimit Evropian dhe Ballkani është njëri nga prioritetet tona”, thuhet të këtë thënë ministrja e Polonisë.

Ministri Lluka, e ka njoftuar anëtaren e qeverisë polake, që shoqërohej nga një grup drejtuesish agjencish shtetërore të nxitjes dhe garantimit të investimeve, si dhe të disa bankave, me zhvillimet në ekonominë kosovare dhe përparësitë që i ofron vendi investitorëve të huaj.

“Kosova është treg i vogël, por shumë kompani të huaja po vendosen tek ne, duke synuar tregun evropian dhe duke shfrytëzuar lehtësitë për të bërë biznes”, ka thënë Lluka.

Dy ministrat sipas njoftimit janë dakorduar për të organizuar shumë shpejt një forum biznesi të fokusuar në disa sektorë me prioritet.

Po ashtu ministri Lluka i kërkoi Polonisë të dërgojë një grup ekspertësh të cilët do të ndihmojnë sektorë të caktuar për zhvillim tutje, kërkesë që u konsiderua nga mikpritësja polake, thuhet në njoftim.

Gjithashtu të dy ministrat e konsideruan si prioritare firmosjen e një marrëveshje për mbrojtjen e investimeve, si kuadër ligjor që do të inkurajonte ardhjen e biznesit polak në vend.

Vizita e ministrit Lluka në Poloni, si mysafir i qeverisë polake vijon me takime të tjera me zyrtarë të lartë të këtij shteti, organizatat më të mëdha të biznesit, si dhe sipërmarrje me interes për Kosovën.