Ministri polak i Mbrojtjes, Mariusz Blaszczak dhe ambasadori amerikan në Poloni, Paul Jones - Foto: REL/EPA-EFE

Polonia Blen Sistem të Mbrojtjes Raketore nga ShBA

Polonia ka nënshkruar një marrëveshje në vlerë prej 4.75 miliardë dollarësh, për të blerë sistemin e mbrojtjes raketore “Patriot” nga Shtetet e Bashkuara, me qëllim që të mbrohet nga lëvizjet agresive të Rusisë në rajon.

Presidenti Andrzej Duda ka thënë se kjo marrëveshje është historike për Poloninë dhe forcat e saj të armatosura.

“Janë shumë para, por ne e dimë nga eksperienca jonë se siguria nuk ka çmim”, ka thënë Duda.

Sistemi “Patriot” është i pajisur me teknologji që përdoret nga NATO dhe trupat amerikane në Poloni, ka thënë presidenti polak.

Rumania po ashtu ka nënshkruar një marrëveshje 3.9 miliardë dollarëshe vitin e kaluar për sistemin e mbrojtjes raketore “Patriot”. (REL)