Politizimi i Agjencive nga Ligjet e Shpejta

Instituti për Politika Zhvillimore INDEP në raportin e tij të publikuar sot i fajësoi ligjet e miratuara shpejt e shpejt për politizimin e agjencive të pavarura.

Roli i Agjencive të pavarura, funksionalizimi dhe sfidat ishin të gjeturat e raportit të Institutit për Politika Zhvillimore INDEP.

Burim Ejupi nga instituti INDEP potencoi se funksionalizmi i Agjencive të Pvarura është bërë me ligje të shpejta me pakon e Artisarit ku ka ardhur deri te politizimi i këtyre agjencive duke e humbur pavarsinë e tyre.

“shumica e Agjencive të Pavarura janë krijuar me ligje të shpejta me pakon e Ahtisarit, pa u debatuar në dëgjim publik. Jemi dëshmitarë kur në Kuvend janë votuar nga 17 ligje brenda një seance dhe kjo ndoshta ka sjellë edhe politizimin e këtyre agjencive që realisht e kanë humbur edhe pavarësinë për të cilën janë krijuar,” tha Burim Ejupi nga INDEP-i.

Mimoza Gojani nga Ambasada Britanike tha se kjo ambasadë është e interesuar që bashkë me institucionet kosovare ta luftojë politizimin e bordeve të agjencive të pavarura dhe ndërmarrjeve publike.

“Ambasada e Britanisë si përkrahëse e këtij projekti është e interesuar të dijë mbi politizimet e këtyre agjencive dhe rezultatin final të tyre. Ne jemi të interesuar që përmes projekteve të tilla ta ndihmojmë Kosovën në luftimin e dukurive negative, ne kemi pasur bisedime edhe me Kryeministrin e Kosovës për t’i ndihmuar Qeverisë në rekrutimin e stafit në pozita të larta jo vetëm në borde të agjencive por edhe në të gjitha pozitat tjera kyçe,” tha Gojani.

Raif Qelaj nga Komisioni për Zhvillim Ekonomik përmendi tri problemet kryesore të agjencive të pavarura.

“Në rend të parë numri i agjencive të pavarura është tepër i madh për nevojat e Kosovës dhe për buxhetin e Kosovës- janë gjithsej 33 agjenci të pavarura që i raportojnë. Problem i dytë është se disa agjenci mbesin jofunksionale në mungesë të kompletimit të bordit, siç është Autoriteti Rregullativ i Konkurrencës, problemi i tretë është edhe zgjedhja e bordeve, futja e njerëzve joprofesional dhe pa moral kredibil vështirëson edhe më tej funksionimin e këtyre agjencive,” tha Qelaj.

Fehmi Pireva zyrtar ndërlidhës për agjenci të pavarura nga Kuvendi i Kosovës e pranoi se Kosova e ka numrin më të madh të agjencive të pavarura në rajon, por sipas tij puna apo mospuna e agjencive qëndron te kompleksiteti i zgjedhjes së anëtarëve të bordit.

“Me të vërtetë Kosova ka numrin më të madh të agjencive në rajon, shpresoj që Kuvendi të bëjë një analizë për të parë nevojën dhe funksionalizimin që ka për këto agjenci, kompleksiteti i emërimit të anëtarëve të bordit është vetë përzgjedhja e tyre, sepse propozimi i tyre bëhet nga qeveria. Qeveria vjen nga partitë politike, Kuvendi vetëm i voton dhe nuk mban përgjegjësi për punën ose mospunën e tyre,” tha Pireva.

Rekomandimet e INDEP-it për agjencitë e pavarura janë që baza ligjore duhet të parashikojë zgjedhjet individuale në bordet e agjencive, prezantimi i raporteve vjetore të bëhet para bordit dhe komisioneve vlerësuese, si dhe Kuvendi të ndëshkojë menaxhmentin e këtyre bordeve në rast të performancës së dobët.