Politika në Shkolla, Cigaret në Kioskën e Oborrit të Shkollës
Haki Rugova dukej i zënë në befasi nga këshilltarët komunalë të partive opozitare të cilët nuk pushonin me kritika në debatin për Istogun në kuadër të emisionit “Jeta në Komunë”.
Akuzat për keqpërdorime në arsim, emërime politike të drejtorëve të shkollave, dhënie të tenderëve për lëndë djegëse për njerëz të partisë e shumëçka tjetër dolën në këtë debat nga ata të cilët, sipas kryetarit të komunës, nuk paraqesin kritika të tilla gjatë mbledhjeve të asamblesë komunale aty ku “nuk ka media”.
E tillë duket jeta në një komunë të vogël, në të cilën tash e sa vjet mediat i kanë tërhequr korrespondentët dhe mbledhjet e asamblesë komunale dhe zhvillimet tjera kalojnë pa u pasqyruar.
Dhe opozitarët dukej se mezi kishin pritur një rast që të shpërthenin.
Kryetari i Istogut Haki Rugova ka mbyllur dyvjeçarin e parë të mandatit të dytë në krye te komunës së Istogut. Mandatin e parë e kishte marrë në vitin 2010 në zgjedhjet e jashtëzakonshme pas vdekjes së ish kryetarit Fadil Ferati.
Istogu në fakt është njëra ndër pak komunat e Kosovës që nuk ka ndërruar parti në qeverisje që nga viti 2010.
Ajo gjithmonë është qeverisur nga njerëzit e LDK-së.
Rol krucial në këtë ka luajtur fakti që kryetari historik i LDK-së, Ibrahim Rugova është me origjinë nga Istogu.
Kryetari aktual i Istogut ka mbiemër të njëjtë dhe vjen nga i njëjti fshat, Cërrca.
Gjendja e shkollave në hapësirën e komunës ishte tema e parë në këtë debat.
Rugova e hapi temën duke thënë se komuna është gati në përfundim të rregullimit të infrastrukturës shkollore në tërësi.
Kur iu përmend gjendja e rëndë në shkollën fillore në fshatin Uçë, kryetari i komunës tha se gjatë këtij mandati do të përfundojë rregullimi i infrastrukturës shkollore në këtë fshat dhe në fshatin Llukavc i Begut.
Njëkohësisht, shkolla fillore “Trepça” në fshatin Kashicë është mbyllur për shkak të numrit të vogël të nxënësve dhe hezitimit të prindërve për t’i çuar nxënësit në këtë shkollë.
Por opozitari më i zëshëm në debat, Arben Kabashi i PDK-së, reagoi duke thënë se shkollat të cilat po i përmend Rugova as që janë planifikuar në buxhet komunal.
“Gjendja në arsim është shumë shqetësuese edhe për nga niveli i mësimit dhe politizimi i emërimit të drejtorëve. Të gjithë e nëndegëve të LDK-së janë të sistemuar si drejtorë ose zëvendësdrejtorë ose në stafin e ngushtë”, tha Kabashi.
Rugova ndërhyri duke thënë se gjendja në shkolla nuk është aq e mjerueshme sa po prezantohet.
Edhe akuzën për emërime politike të drejtorëve ai e hodhi poshtë.
Por atë që nuk mundi ta hedhë poshtë ishte një rast i ngacmimit seksual që një zyrtar komunal i arsimit ia kishte bërë një studenteje të Istogut e cila i kishte shkuar në zyrë atij për ta rregulluar dokumentacionin për bursë.
Rugova tha se i dyshuari është suspenduar nga puna dhe ndaj tij tani është duke u ndjekur procedura ligjore.
Me arsimin nuk përfundoi këtu.
Kabashi ia përmendi Rugovës edhe funksionimin e një kioske në oborrin e shkollës në Gurrakoc, në të cilën ka pasur ankesa se pronarja e kioskat, që është nëna e drejtoreshës së shkollës, po u shet fëmijëve cigare copë- copë.
Drejtori komunal për Arsim, AgimHaxhiu e pranoi se kioska në oborr të shkollës ekziston, por tha se nuk është i njoftuar që aty shiten cigare.
“Ekziston ajo kioskë por nuk kam informata që shiten cigare aty. E di që aty shiten gjëra ushqimore. I kemi dhënë vërejtje dhe ajo duhet të hiqet nga shkolla. Nuk mendoj që është në rregull që t’i lejohet biznesi dhe ne tani po mendojmë që kjo punë të rregullohet me tender”, tha Haxhiu.
Në të mirë të premtimeve të dhëna, Rugova tha se gjatë këtij mandati ka arritur t’i ndërtojë dy çerdhe dhe një qendër të mjekësisë familjare.
Në lidhje me këto akuza kryetari deklaron se ka keqpërdorime te ujit nga ana e qytetarëve, dhe një numër i vogël i fshatrave nuk kanë rrjetë dhe ne fazën e ardhshme deri ne fund te mandatit do te zgjidhet ky problem.
Ndërsa asamblisti i AAK-së Prekë Prekaj në këtë debat e akuzon kryetarin se i ka lejuar ndërtimet pa leje ne komunën e Istogut, duke e atakuar një objekt në Gurrakoc i cili, sipas tij, le që nuk ka leje por është i ndërtuar edhe në pronë komunale.
Madje ai thotë kryetari se betoni i këtij objekti është sjellë nga mikserët e një kompanie të udhëhequr nga të afërmit e kryetarit.
Sa i përket ujërave të zeza dhe mbeturinave kryetari Rugova deklaroi se janë bërë disa përpjekje për të avancuar në lidhje me këto dy problematika mirëpo u arsyetua me mungesë buxheti.
Ndërsa Florin Dreshaj nga Vetëvendosje e kritikoi kryetarin se fshatin nga vjen ai, Prigodë, ka mungesë të ujit.
Në sallën e asamblesë së komunës janë vendosur dy flamuj, ai i shtetit të Kosovës dhe flamuri kombëtar kuqezi, por te fotografitë puna çalon.
Komuna e Istogut i ka bërë vend në ballë të sallës vetëm fotografisë së ish- Presidentit, Ibrahim Rugova.
“Në zyre e kam, por sallën e asamblesë nuk e menaxhoj unë, e menaxhojnë këta (asamblistët)”, tha Rugova që dukej i zënë ngusht nga pyetja e Jeta Xharrës.
Nënkryetari i komunës, Lulzim Blakaj, tha se vendosja e fotografisë së Ibrahim Rugovës është bërë me një vendim të kuvendit komunal.
Ndërsa një zë nga ulëset e PDK-së e shfrytëzoi këtëmuhabet për ta paralajmëruar njëgjë.
“Kur të zgjedhet Presidenti i ri, do të jetë aty”, tha një këshilltar i PDK-së, duke aluduar në kryetarin e partisë së tij, Hashim Thaçi si kandidat i vetëm aktual për këtë post.
Asambleja Komunale e Istogut i ka 27 anëtarë. Nga ta LDK është e përfaqësuar me 12 këshilltarë komunalë, AAK ka 6 këshilltarë, PDK 4 ndërsa VV, AKR, AE, GIB dhe GIS nga një këshilltar.