
Protesta e gazetarëve | Foto: KALLXO.com
Politika lavdëron gazetarët në Ditën e Lirisë së Shtypit
Krerët e institucioneve të Kosovës kanë shkruar në rrjete sociale në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit.
Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi shkroi në facebook se Kosova fatmirësisht ka shumë gazetarë të mirë, me integritet të lartë dhe profesionistë të mirëfilltë që në rrethana shumë të vështira e kanë mbajtur gjallë raportimin e drejtë dhe të paanshëm për qytetarët tanë.
“Liria dhe pavarësia e Kosovës janë meritë edhe e shumë brezave të gazetarëve të Kosovës, që me guxim e përkushtim e raportuan të vërtetën për çdo proces nëpër të cilin kaloi vendi ynë”, shkroi Thaçi.
Ai ka ftuar gjithë gazetarët që të vazhdojnë me punën e tyre profesionale, hulumtuese dhe të japin kontributin e tyre në forcimin e demokracisë dhe të shtetit.
Ndërsa, Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj shkroi po në facebook se do të angazhohet për një ambient plotësisht të lirë e të sigurt për gazetarët.
“Liria nuk mund të jetë e pjesshme, prandaj i ftoj gazetarët kosovarë që të punojmë në partneritet të ngushtë, që ta ndryshojmë këtë gjendje”, vlerësoi ai në profilin e tij në Facebook.
Sipas tij, “liria e shprehjes dhe e shtypit janë levat e demokracisë, kësisoji të panegociueshme dhe duhet të shkojnë bashkë të integruara me përgjegjësinë”.
Ndërkaq për kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli zhvillimi i mediave në Kosovë është një histori suksesi dhe liria e plotë e tyre është tejet e rëndësishme.
“Këto ditë, në bashkëpunim me Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës dhe NDI, kemi hartuar edhe Rregulloren për rendin dhe qasjen e mediave dhe publikut në punën e Kuvendit – e cila do të mundësojë rritjen e mëtejme të transparencës”, shkroi ai në facebook.
Veseli konstatoi se liria e fjalës është një ndër shtyllat themelore të shoqërisë demokratike që synohet të ndërtohet.
“Këtë vlerë do ta mbrojmë e promovojmë”, përfundoi Veseli.
Kosova në raportin e Freedom House konsiderohet vend pjesërisht i lirë sa i përket lirisë së shtypit, ndërsa sot gazetarët protestuan në Prishtinë.