Policisë i Shtohen Rreshterët

Ministri i Punëve të Brendshme Skender Hyseni tha sot se Policia e Kosovës me përkushtim dhe punë të vazhdueshme ka arritur rezultate pozitive dhe për këtë janë meritorë vetë ata.

Ai ka shprehur vullnetin e tij për përkrahje dhe mbështetje të vazhdueshme ndaj Policisë së Kosovës, me qëllim të krijimit të kushteve edhe më të mira dhe më të avancuara për punonjësit e PK-së.

Këto komente Hyseni i bëri në ceremoninë e gradimit të 128 rreshterëve policorë.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës Shpend  Maxhuni tha se përvoja e fituar, aftësitë, trajnimet dhe avancimet e zyrtarëve policorë do t’i mundësojnë institucionit të policisë realizimin e zotimit dhe detyrimit në mbrojtjen e vendit dhe interesave nacionale.

“Ju duhet të jeni mbështetës të fuqishëm të misionit tonë, aktivë dhe përgjegjës, me qëllim që puna juaj të jetë frymëzim dhe shembull për të tjerë”, ka thënë Maxhuni.

Ai gjithashtu ka shtuar se të gjithë zyrtarët policorë të tregohen përgjegjës për veprimet e gjithësecilit, duke kryer të gjitha detyrat me sukses.

Gradimit të zyrtarëve policorë i kanë paraprirë testimet për gradën rreshter në procesin e gradimit të mbajtur më herët dhe përfundimi i trajnimit “Menaxhimi i Vijës së Parë” në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike.

Zyrtarët policorë të graduar në gradën rreshter do të shërbejnë nëpër njësite të ndryshme të Policisë si mbikëqyrës të vijës së parë.